Shqipëria e Mali i Zi, i njohin njëra-tjetrës lejet e drejtimit

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë arritur që të nënshkruajnë për herë të parë marrëveshje për të njohur njëra- tjetrës lejet e drejtimit, ose patentat. Kjo marrëveshje e njohjes së ndërsjellët është bërë sot ndërmjet Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës të Shqipërisë Edmond Haxhinasto dhe Zv/kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe për Çështjet Evropiane të Malit të Zi, Igor Lukshiç.  Në një njoftim të kësaj ministrie, thuhet se nga pala shqiptare, procesi i negocimit është ndjekur nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa negociatat mes dy vendeve janë zhvilluar nga autoritetet kompetente përkatëse. – “Njohja për herë të parë, të lejeve të drejtimit kombëtarë me Malin e Zi sjell lehtësira, jo vetëm për lëvizjet e qytetarëve për qëllim qarkullimi në territoret respektive, për periudhën e vlefshmërisë së tyre, por kjo procedurë u krijon shtetasve shqiptarë mundësinë të punësohen si drejtues mjeti në Malin e Zi, me të drejta të barabarta me shtetasit malazez, në përputhje me lejen e drejtimit që disponojnë”, – thuhet në njoftim të kësaj ministrie.  Kjo marrëveshje vjen pas nënshkrimit me sukses të marrëveshjeve për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me Italinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Kroacinë.

SHKARKO APP