”Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike”, Rama: EURONEWS-i global jehonë lajmit që mërziti sorrat
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mbi debatin në vend për renditjen e Shqipërisë në vendin e parë në botë për sigurinë kibernetike, duke iu përgjigjur kritikëve me tone ironike. ‘‘Ja edhe EURONEWS-i global për një lajm që në Shqipëri i mërziti aq shumë sorrat, korbat dhe dështakzemërakët”, shkruan Rama në një postim në Facebook. Rama iu referohet publikimit të Euronews për renditjen e Shqipërisë në National Cyber Security Index (NCSI), ku vendi rezulton me 98.33 pikë. Ai ka akuzuar kritikët për përpjekje për të zhvlerësuar arritjen, duke theksuar se renditja bazohet në një metodologji ndërkombëtare.
Postimi i plotë
SHQIPËRIA E PARA NË BOTË PËR SIGURINË KIBERNETIKE
Nga vendi që në vitin 2022 u godit nga një sulm masiv kibernetik i sponsorizuar nga Irani, tek vendi që sot kryeson renditjen globale për sigurinë kibernetike. Sipas indeksit të publikuar edhe nga Euronews, Shqipëria renditet e para në botë me 98.33 pikë nga 100, përpara fuqive të mëdha teknologjike si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Pikë maksimale për politikat kibernetike, bashkëpunimin ndërkombëtar, arsimin dhe kërkimin, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, analizën e kërcënimeve, mbrojtjen e të dhënave, reagimin ndaj incidenteve, menaxhimin e krizave dhe luftën kundër krimit kibernetik. Sulmi i vitit 2022 mund të na kishte gjunjëzuar. Ne e kthyem atë në një shtysë për transformim.
Rindërtuam kuadrin ligjor, centralizuam mbrojtjen kibernetike, forcuam kapacitetet tona dhe ngritëm partneritete të reja me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe kompanitë më të mëdha të teknologjisë. Dhe sot, në një kohë kur Shqipëria digjitale ofron online 95% të shërbimeve publike, kjo mburojë është po aq jetike sa çdo infrastrukturë tjetër strategjike e vendit. Nga objektivi i një sulmi shtetëror kibernetik, në numrin 1 të botës për sigurinë kibernetike.
KOHA JONË SONDAZH

