“Shqipëria e Re”, forca që trondit dyshen Rama-Berisha, sepse PS ka problemin e konsumimit, PD problemin e besueshmërisë

Nga Nikoll Lesi-

Në politikën shqiptare po krijohet një boshllëk që PS dhe PD nuk po arrijnë ta shohin, ose bëjnë sikur nuk e shohin. Dy partitë e mëdha po humbasin elektorat, ndërsa mes tyre po rritet një masë qytetarësh që nuk e gjejnë më veten as te Edi Rama dhe as te Sali Berisha.

Kjo është Shqipëria politike që pret një alternativë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhe nëse në vjeshtë lëvizja PROTESTA vendos të shndërrohet në parti politike, me një emër të bukur dhe domethënës si “Shqipëria e Re”, por mbi të gjitha me njerëz dinjitozë në drejtimin e saj, kjo forcë mund të bëhet surpriza e madhe e politikës shqiptare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Madje, në kushtet e duhura, mund të synojë një rezultat që sot shumëkujt mund t’i duket i pabesueshëm: afro 20 për qind të votës kombëtare. Nuk është një shifër që duhet shpallur si rezultat i paracaktuar. Por politikisht terreni për një rezultat të madh ekziston.

Sepse problemi nuk është më vetëm se sa vota kanë PS dhe PD. Problemi është se sa shqiptarë nuk duan më të votojnë as PS-në dhe as PD-në.

Ka ardhur koha e elektoratit pa parti

Prej vitesh politika shqiptare vazhdon të sillet sikur vendi ndahet vetëm në socialistë dhe demokratë.

Nuk është më kështu.

Ka ish-demokratë që nuk e shohin më Sali Berishën si njeriun që mund ta rikthejë të djathtën në pushtet.

Ka socialistë që mund ta respektojnë atë që Edi Rama ka bërë gjatë viteve të tij në qeverisje, por që pas kaq shumë mandatesh kërkojnë një alternativë të re.

Ka të rinj që nuk kanë asnjë lidhje emocionale me luftën PS-PD.

Ka profesionistë, sipërmarrës, intelektualë dhe qytetarë të zakonshëm që janë lodhur nga e njëjta klasë politike.

Dhe ka një numër të madh njerëzish që ditën e zgjedhjeve qëndrojnë në shtëpi sepse thonë:

“Nuk kam për kë të votoj.”

Pikërisht këtu ndodhet miniera elektorale e një force të re. “Shqipëria e Re” nuk ka pse t’ia marrë 20 për qind vetëm PS-së apo vetëm PD-së. Mund të marrë nga të dyja. Por mbi të gjitha mund të marrë nga partia më e madhe e Shqipërisë: partia e atyre që nuk votojnë.

Edhe emri do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme, Shqipëria e Re. Nuk premton thjesht një parti të re.Premton një mënyrë tjetër të të bërit politikë. Pas më shumë se tri dekadash tranzicion, qytetarëve nuk mund t’u ofrohet vetëm një sigël tjetër, me të njëjtët njerëz që kanë qarkulluar nga një parti te tjetra.

Nëse lind “Shqipëria e Re”, ajo duhet të jetë realisht e re.Jo magazinë për ish-deputetët e PS-së. Jo strehë për të pakënaqurit e PD-së. Jo azil politik për njerëzit që nuk i futën në listë Rama apo Berisha. Sepse nëse mbushet me mbetjet e politikës së vjetër, projekti merr fund përpara se të fillojë. Gjithçka varet nga emrat. Këtu është sekreti i suksesit ose dështimit. PROTESTA mund të ketë krijuar energjinë. Emri “Shqipëria e Re” mund të krijojë markën. Por njerëzit do të krijojnë besimin. Në krye të kësaj force duhen figura që qytetarët i respektojnë edhe përpara se të hyjnë në politikë. Profesorë, mjekë, juristë, ekonomistë, sipërmarrës, njerëz të kulturës, profesionistë të njohur, të rinj të shkolluar jashtë që janë kthyer në Shqipëri. Njerëz me emër, por jo njerëz të konsumuar. Njerëz që kanë një profesion dhe një jetë jashtë politikës.  Dhe sidomos njerëz që, kur të dalin përpara publikut, qytetari të mos pyesë: “Sa parti ka ndërruar ky?”. Por të thotë: “Më në fund, ky është njeri që mund ta votoj.”

Nëse gjenden 20, 30 apo 50 figura të tilla në gjithë Shqipërinë, atëherë loja ndryshon. PS ka problemin e konsumimit, PD problemin e besueshmërisë.

Por Edi Rama ka një avantazh të madh: PS mbetet një makineri e fuqishme elektorale. Por Rama ka edhe një kundërshtar që nuk mund ta mundë: kohën. Pas kaq shumë vitesh në pushtet krijohet natyrshëm konsumim. Edhe një qytetar që nuk është kundër Ramës mund të mendojë se vendit i duhet diçka tjetër. PD ka një problem edhe më të madh. Ka elektorat opozitar, por nuk po arrin ta shndërrojë pakënaqësinë ndaj qeverisë në shumicë qeverisëse. Dhe këtu “Shqipëria e Re” mund të godasë fort. Sepse mund t’i thotë demokratit të zhgënjyer: Nuk ke pse të votosh Ramën vetëm sepse nuk beson më te Berisha. Dhe socialistit të zhgënjyer: Nuk ke pse të votosh Berishën vetëm sepse je lodhur nga Rama. Kjo është formula që mund ta çajë bipolarizimin.

Nëse “Shqipëria e Re” merr vetëm votuesit tradicionalë të një partie, 20 për qind do të ishin shumë të vështira.

Por nëse merr një pjesë nga PD, një pjesë nga PS, votuesit e partive të vogla, votën e qendrës dhe, sidomos, mobilizon një pjesë të abstenuesve, atëherë rezultati mund të jetë shumë më i madh nga sa parashikon sot politika tradicionale. Dhe ka edhe një fenomen psikologjik. Partitë e reja vuajnë derisa qytetarët mendojnë se vota për to është votë e humbur. Por sapo krijohet bindja se një forcë e re mund të marrë 10, 15 apo 20 për qind, fillon orteku. Votuesi thotë: “Atëherë ia vlen ta votoj.” Dhe nga ai moment nuk kemi më një parti të vogël. Kemi një pretendent. As me Ramën, as me Berishën. Por “Shqipëria e Re” duhet ta bëjë një gjë të qartë që në ditën e parë: Nuk krijohet për t’u bërë patericë e Edi Ramës. Nuk krijohet për t’u bërë shtojcë e Sali Berishës.

Sepse shqiptarët kanë parë mjaft parti që lindën duke premtuar revolucion politik dhe përfunduan duke negociuar ministri. Nëse “Shqipëria e Re” merr vota vetëm që pas zgjedhjeve t’i shesë ato për disa poste qeveritare, atëherë nuk është Shqipëri e re. Është politika e vjetër me tabelë të re. Ambicia duhet të jetë tjetër: Të bëhet forcë qeverisëse. Me 20 për qind bëhesh mbreti i lojës. Këtu fillon pjesa më interesante. Nëse në zgjedhjet e ardhshme PS humbet terren, PD nuk arrin të krijojë shumicë dhe “Shqipëria e Re” merr një rezultat afër 20 për qind, atëherë ndryshon gjithë arkitektura politike e vendit.

Me 3 apo 5 për qind hyn në Parlament. Me 10 për qind bëhesh faktor. Me 15-20 për qind mund të përcaktosh qeverinë e ardhshme. As Rama dhe as PD nuk do të mund ta injoronin më forcën e tretë. Dhe për herë të parë pas shumë vitesh, shqiptarët mund të kishin përpara një ekuacion që nuk fillon dhe nuk përfundon vetëm me dy emra: Rama dhe Berisha.

Kushti është të mos bëhet një tjetër parti shqiptare. “Shqipëria e Re” duhet të ketë kurajën të bëjë atë që partitë shqiptare nuk bëjnë. Primare reale. Financim transparent. Kufizim mandatesh. Listat me njerëz me integritet. Program ekonomik të qartë. Marrëdhënie të forta me SHBA-në dhe Bashkimin Europian. Asnjë aventurë antiamerikane. Asnjë ekstremizëm. As molotov. As revolucion. Një forcë moderne, europiane, pragmatike, që kërkon pushtetin vetëm me votë.

Sepse Shqipërisë nuk i duhet një tjetër parti zemërimi. I duhet një parti shprese. Votat janë aty. Kjo është ajo që PS dhe PD duhet të kuptojnë. Votat për një forcë të re nuk duhet të shpiken.

Ato ekzistojnë. Janë te demokratët e zhgënjyer. Janë te socialistët e lodhur. Janë te votuesit e qendrës. Janë te të rinjtë. Janë te profesionistët. Janë te shqiptarët që nuk shkojnë më në zgjedhje.

Ajo që mungon është një adresë politike e besueshme ku këto vota të bashkohen.

Nëse PROTESTA në vjeshtë transformohet në një projekt serioz politik, nëse zgjedh emrin “Shqipëria e Re”, nëse vendos në krye figura dinjitoze dhe nëse nuk lejon që politika e vjetër ta pushtojë nga brenda, atëherë mund të ndodhë ajo që sot PS dhe PD nuk duan ta imagjinojnë.

Shqipëria e Re mund të marrë shumë vota. Shumë më tepër nga sa mendojnë sot në selitë e partive të vjetra. Dhe në një skenar të suksesshëm, kufiri i 15-20 për qind mund të kthehet nga ambicie në realitet elektoral. Atëherë “Shqipëria e Re” nuk do të jetë më protesta që doli në shesh. Do të jetë forca politike që mund të vendosë se kush qeveris Shqipërinë. Dhe ndoshta pyetja e zgjedhjeve të ardhshme nuk do të jetë më: Rama apo Berisha? Por: A është koha për një Shqipëri të Re?

PROTESTA duhet të kthehet në parti politike gjithëpërfshirëse dhe me lidership të jashtëzakonshëm. Nëse mbetet thjesht protestë dhe nuk futet në zgjedhjet vendore të maj 2027 që të trondisë me 7.4 ballë politikën shqiptare, atëhere do të përfundojnë si mos me keq.

Shqpëria ka nevojë për “Shqipëria e RE”!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?