Rama për CNN: “Shqipëria është në sulm nga armiqtë dhe konkurrenca”
Kryeministri Edi Rama doli në një lidhje të drejtpërdrejtë për CNN International, aty ku foli për projektin në Zvërnec.
Rama u shpreh se Shqipëria po sulmohet nga armiqtë dhe konkurrenca, ndërsa shtoi se familja e Donald Trump nuk ka asnjë lidhje me projektin në Zvërnec.
Gazetarja: Më lejoni fillimisht të marr reagimin tuaj për protestat që kemi parë si në kryeqytetin Tiranë, ashtu edhe në qytetet bregdetare, lidhur me këtë zhvillim që lidhet me Jared Kushner. Si i përgjigjeni ju protestave dhe shqetësimeve të tyre?
Rama: Së pari, ju falënderoj që më jepni këtë mundësi, sepse duhet të them se është vërtet mbresëlënëse të ndiesh peshën e lajmeve të rreme që vijnë edhe nga media që, në sytë e mi, janë shumë të respektuara.
Dhe vetëm për të saktësuar, ju thatë protesta në të gjithë Shqipërinë. Kjo është e rreme. Nuk ka protesta në të gjithë Shqipërinë. Ka një protestë në kryeqytet.
Ne jemi në një luftë hibride. Shqipëria është nën sulm nga armiq që i njohim shumë mirë. Është nën sulm nga konkurrenca shumë e fortë në pjesën tonë të Mesdheut. Është nën sulm nga mijëra e qindra mijëra profile të rreme (bots) që janë krijuar për të shkaktuar gjithë këtë stuhi.
Dhe sigurisht, në këtë protestë ka njerëz me qëllime të mira, të rinj që në përgjithësi janë të interesuar për mjedisin, por që janë keqinformuar në masë të madhe.
Nuk ekziston diçka e tillë si “ishulli i familjes Trump”. Nuk ekziston diçka e tillë si familja e presidentit amerikan që po merr nën kontroll zonat e mbrojtura me flamingo…
Ai shtoi gjithashtu se projekti nuk ekziston ende dhe planet e publikuara online janë foto të krijuara në rrjetet sociale.
“Sepse sfida nuk është të ndërtohet një qytet. Sfida nuk është të derdhet beton mbi kokat e flamingove. Sfida është të provohet se zhvillimi dhe natyra jo vetëm që mund të bashkëjetojnë, por se natyra dhe zhvillimi kanë nevojë për njëra-tjetrën.
Njerëzit meritojnë të jetojnë në një lloj tjetër mjedisi, ku mund ta shijojnë natyrën dhe njëkohësisht t’i tregojnë respekt.
Pra, projekti ende nuk ekziston. Vlerësimi i ndikimit mjedisor është ende duke u kryer. E kuptoni? Dhe më lini të përfundoj”, tha Rama.

KOHA JONË SONDAZH

