Shqipëria lajm i parë në Botë
New York Times, CNN, BBC, Reuters, Dailymail e shumë te tjerë, mediat ndërkombëtare i bënë jehonë të menjëhershme lëkundjeve të forta të tërmetit në Shqipëri. Tërmeti i magnitudës 6,4, thotë NYT, është një ndër më të fuqishmit në dekada që trondit Shqipërinë; në artikull përmenden viktimat, kaosi e frika që ka mbjellë në vendin tonë furia e natyrës.
Shkatërrim e panik raporton “The Guardian” që e përshkruan situatën me tone dramatike. Në mënyrë të veçantë, e përditshmja prestigjoze angleze citon rastin e gruas së moshuar në Durrës, që nuk arriti të mbijetonte, por shpëtoi nipin duke e mbuluar me trupin e vet.
CNN citon Instituti gjeologjik amerikan të pohoje se epiqendra e tërmetit ka qenë në një thellësi prej gati 20 km e përmend mbylljen e shkollave në tre qytete, Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Banorët nën rrënoja, shkruan Reuters, qe flet për një goditje në thellësinë 10 km, e për ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona. Tërmeti, vazhdon agjencia e njohur e lajmeve, u parapri nga disa lëkundje më të lehta, e është ndjerë deri në rajonin e Puglia-s, në Itali.