Shqipëria nuk do lejojë regjistrimin e mjeve nën standartin “Euro 5”
Nëse doni të blini nga jashtë dhe përdorni në Shqipëri një automjet të përdorur, të prodhuar para vitit 2011 duhet të nxitoni! Së shpejti në vend nuk do të lejohet më regjistrimi i automjeteve që nuk përmbushin standardin “Euro 5” të Bashkimit Evropian nga “Euro 4 që aktualisht është në fuqi“.
“Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka nisur gjatë vitit 2024 diskutime në lidhje me përmirësime të mundshme niveleve të bazës ligjore dhe ka organizuar edhe takime me përfaqësues të palëve të interesit dhe institucioneve. Pas 5 viteve vlerësojmë se është koha për të kaluar në standardin ‘Euro 5’”, tha për A2 CNN, Arben Progni nga Drejtoria e Regjistrimit të Mjeteve.
Zhvlerësimi i euros nga njëra anë dhe orientimi i tregut të importeve drejt Koresë së Jugut veçanërisht gjatë vitit të shkuar pritet ta bëjnë lehtësisht të zbatueshëm vendosjen e standardit “Euro 5” në importin e automjeteve. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se në 12 muajt e lënë pas, 44.2 për qind e automjeteve të regjistruara për herë të parë ishin prodhuar pas vitit 2011, ndërsa gati 19 për qind përmbushin standardin “Euro 6”, raporton A2.
“Ne si DPSHTRR do të vijojmë me diskutimet dhe shpresojmë që vendosja e këtij standardi të hyjë në fuqi nga ky vit për të ndikuar kështu në përmirësimin e flotës së automjeteve dhe uljen e nivelit të ndotjes në ajër.” Gjatë vitit të shkuar në vend u regjistruan për herë të parë 99 mijë e 441 automjete. Periudha e pranverës dhe verës, veçanërisht muajt maj e korrik shënuan nivelin më të lartë të automjeteve të regjistruara për herë të parë.
Me shtimin e importeve si pasojë edhe e turizmit, numri i automjeteve aktive në vend ka arritur në 925 mijë. “Në vitin 2018, raporti i motorizimit ishte 220 mjete për 1 mijë banorë e sot jemi në kushtet e 400 mjeteve për 1 mijë banorë. Ka një rritje të konsiderueshme veçanërisht vitin e fundit”. Gati 9 mijë kilometër distancë gjeografike, një treg aspak tradicional referuar historisë… Koreja e Jugut është kthyer në burimin kryesor nga ku shqiptarët importojnë makina. Shteti në Azinë Lindore vitin e shkuar u rendit i pari në drejtim të importeve të automjeteve, me 18 mijë e 827 të tilla duke lënë pas Italinë, Gjermaninë dhe Zvicrën.