Shqipëria po “plaket”, OKB: 1/3 e popullsisë në 2030 do jetë mbi 65 vjeç
Një e treta e popullsisë në Shqipëri parashikohet të jetë mbi 65 vjeç në vitin 2030.
Duke folur në një aktivitet në kuadër të ditës së moshimit, përfaqësuesi i OKB-së në Shqipëri, Brian Williams, u shpreh se dekadat e fundit ka pasur një rritje të moshës së popullsisë shqiptare.
Williams: Në vitin 1990 në Shqipëri, 5% e popullsisë ishte 65 vjeç e sipër, ndërsa në 2010 kjo përqindje është rritur duke shkuar në 10-11%, ndërsa 2030 kur pritet të realizohen dhe objektivat për zhvillim të qëndrueshëm, 1/3 e popullsisë parashikohet të jetë mbi moshën 65 vjeç e sipër.
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, u premtoi pensionistëve se do të ketë një riindeksim të pensioneve si dhe përmirësim të shërbimeve.
Klosi: Në bazë të shtimit të një numri shumë më të madh kontribuesish në skemën tonë të pensioneve, në bazë të rritjes së subvencioneve nga buxheti i shtetit, ne të kemi dhe ky është një lajm shumë i mirë që unë dua ta jap në ditën e të moshuarve, një riindeksim të skemës së pensioneve.
Pensionistët ankohen se e kanë të pamundur që të përballojnë kostot e jetesës. Ata shprehen se ja dalin vetëm fatë ndihmës së fëmijëve.
Pensionistja: Mësuese kam qenë, 50 vjet kam dalë por marr një pension të vogël fare. Kam çupën dhe djalin që më ndihmojnë, se me aq sa marr unë ilaçet nuk më dalin.
Pensionisti: Asnjëherë nuk kanë qenë të përballushme. Shyqyr Zotit më mban djali.
Pensionisti: Na ndihmojnë kalamajtë, çfarë pensioni 140 mijë lekë( të vjetra) çfarë del, asgjë.
Në Shqipëri numërohen rreth 600 mijë pensionistë.
Emigrimi i të rinjve, rënia e lindshmërisë si dhe vdekshmëria më e ulët që nga viti 1989 kanë zvogëluar peshën e brezave të rinj dhe kanë arritur atë të brezave më të vjetër në popullsinë e përgjithshme, duke çuar kështu drejt një moshimi demografik.
KOHA JONË SONDAZH

