Shqipëria, vendi me riskun më të lartë nga katastrofat natyrore në mbarë Europën

Sipas Indeksit të Riskut Botëror, Shqipëria del si vendi me riskun më të lartë nga katastrofat natyrore në mbarë Europën. Zjarret, thatësirat, përmbytjet, tërmetet dhe katastrofat e tjera i kushtojnë Shqipërisë mesatarisht 2,5% të GDP-së çdo vit, duke ndikuar në jetët e mijëra personave dhe në aktivitetin e shumë bizneseve, veçanërisht në fushën e bujqësisë.

Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres për t’u përgatitur në raste të tilla. Mungesa e kapaciteteve llogaritet sipas studimit të fundit në 74.99% të rasteve, teksa 4 vite më parë, ky tregues ishte më i ulët, në 74.23%. Shqipëria është përkeqësuar në këtë drejtim dhe është e varur ndjeshëm nga ndihma e shteteve fqinje, siç ndodhi në rastin e tërmetit të 26 Nëntorit 2019, kur operacionet e shpëtimit u drejtuan thuajse tërësisht nga të huajt.

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë vitit 2020 pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile zbuloi se kjo agjenci ishte e paplotësuar me burime njerëzore, pa një strategji Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë, pa regjistër ngjarjes të ndodhura, me një koordinim të dobët me institucionet e tjera, me komunikim që bëhet përmes Whatsapp-it dhe pa asnjë informacion paralajmërues për fatkeqësitë.

Një vit më pas, këto problematika rezultojnë se janë adresuar vetëm pjesërisht. Mbi këtë institucion, rëndojnë edhe shumë detyrime të prapambetura. Konkretisht, 711 milionë lekë për dëmshpërblimet e përmbytjeve dhe tërmeteve të rëna në vend përgjatë viteve, si dhe 146 milionë lekë për operacionet e fikjes së zjarreve në vitin 2017.

Situata nuk është më mirë as te 61 bashkitë, që pas reformës territoriale kanë si detyrë Mbrojtjen nga Zjarret. Në pushtetin vendor rezultojnë sot të punësuar 1250 punonjës zjarrfikës, 500 më shumë se në vitin 2014. Në rritje edhe numri i stacioneve të zjarrfikëseve, nga 38 në 70, si dhe numri i automjeteve, nga 105 në 150.

SHKARKO APP