Shqiptarë të diasporës, mos e publikoni votën tuaj. Do të quhet e pavlefshme dhe fillon hetimi penal për ju!

Ka filluar një fenoment negativ që dëmton procesin e votimit të diasporës. Duke qenë se KQZ ua ka nisur fletët e votimit atyre që janë regjistruar dhe votimi bëhet në familje, ata kanë mundësi të filmojnë apo fotografojnë se si kanë votuar. Sepse i tillë është procesi me postë. Por po postojnë në rrjetet sociale fletën e tyre të votimit, një veprim krejt i dënueshëm ligjerisht, por që sjellë që vota e tyre të shpallet e pavlefshme.
Juristi Marsid Gupi foli në emisionin Review, në Euronews Albania, në lidhje me fenomenin ku votuesit nga diaspora po publikojnë votën e tyre me anë të videove në rrjetet sociale.
Ai tha se ata përpiqen që me këto video të tregojnë një akt besnikërie ndaj partisë që votojnë, por kjo në vend të efekteve pozitive, ka efekte negative, sepse sipas tij, vota bëhet e pavlefshme.
“Përderisa ka një detyrim ligjor i cili cakton disa rregulla në lidhje me fshehtësinë e votës, shkelja e tyre normalisht përbën vepër penale. Ideja është që kjo e dëmton procesin dhe a e dinë këta zgjedhës se, nëpërmjet publikimit të votës me video ku mundohen të tregojne një akt besnikërie, në fakt e dëmtojnë partinë për të cilën ata japin vullnetin e tyre”, tha ai.
Gupi theksoi se kjo gjë vetëm dëmton dhe sjell pavlefshmërinë e votës, duke dëmtuar partinë përkatëse, si dhe çon në fillimin e procesit ligjor për votuesin prandaj, ai iu bëri thirrje të gjithë votuesve nga diaspora të mos e bëjnë këtë gabim.
“Është e drejta që dënimi mund të jetë nga 3 muaj deri në tre vjet, por thelbi është që ky publikim nuk i shërben partisë për të cilën ata votojnë, pasi vota shpallet e pavlefshme. Përderisa ndaj tyre mund të fillojë një proces penal, ky është një fenomen negativ që duhet ndaluar dhe unë i bëj thirrje të gjithë votuesve të diasporës të mos e publikojnë votën, sepse humbet vullneti i tyre dhe do të kenë probleme me ligjin. Nga ana procedurale, nëse prokuroria ose SPAK, kushdo që të merret, nis hetimet për një individ ose në bashkëpunim, fillon me letrën e thirrjes për të marrë masat e sigurimit,” tha juristi Gupi.