Shqiptarët vijojnë të largohen nga vendi, rritet sërish diaspora
Diaspora shqiptare shënoi rritje edhe në vitin 2019-n. sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT gjatë vitit 2019- diaspora u rrit me 3.6%.
Numri i burrave shqiptarë që jetojnë jashtë u rrit me 4.1%, ndërsa i grave me 3%.
Diaspora e vlerësuar nga INSTAT përllogaritet 1.641.354 individë jashtë territorit të Shqipërisë, ku 862.622 individë janë meshkuj dhe 778.732 janë femra.
Emigrimi në dekadën e fundit ishte 56 % meshkuj në Gjermani dhe Greqi, dhe 51 % meshkuj në Itali. Migrimi në Gjermani akoma ka të ngjarë të jetë i lidhur ngushtë me punësimin (dhe studimin) e cila tregohet nga raporti i ulët i fëmijëve.
Në krahasim me të, Italia dhe veçanërisht Greqia kanë një shpërndarje moshore më të gjerë, treguese të migrimit familjar.
Sipas Monitor këto shpërndarje moshore të emigrimit reflektohen tek të dhënat në strukturën e popullsisë së Shqipërisë që aktualisht jeton jashtë vendit, siç raportohet në Censin 2011.
Struktura moshore e shtetasve Shqiptarë të regjistruar në Censin Italian 2011, gjithashtu tregon qartë efektet e bashkimit familjar si dhe prezencën e një brezi të dytë: fëmijët e emigrantëve shqiptarë të lindur në Itali.
Siç edhe përllogaritjet tregojnë ajo përfshin një popullsi relativisht të re. Grupmosha (0-14 vjeç) është rreth 19 %, pjesën kryesore e zë grupmosha (15-65 vjeç) me rreth 76 % dhe mbi 65 vjec afërsisht 5 %.
Të dhënat e censeve të fundit të popullsisë dhe banesave, raundi 2010, tregojnë se 905 mijë individë të lindur në Shqipëri kanë qenë rezidentë të zakonshëm në 28 vende të Evropës, nga ana tjetër statistikat që lidhen me shtetësinë tregojnë se 962 mijë shtetas shqiptarë jetojnë në 15 vende të saj. Vendet që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptar si dhe rezidentë të lindur në Shqipëri janë: Greqi, Itali, Gjermani dhe Britani e Madhe.
Emigrantët e rinj, 77% ikën për punë në 2018-n
Emigracioni shqiptar ka qenë emigracion i dominuar nga faktorë shtytës ekonomik. Kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë arsyet ekonomike ato që shtyjnë pjesën më të madhe të shqiptarëve të largohen nga vendi. Sipas anketës së Forcës së Punës, 2018, arsyeja kryesore e largimit nga Shqipëria është “Mundësi punësimi”- 77,0 %. Ndërsa në vend të dytë, 10% e emigrantëve të vitit 2018 janë përgjigjur se janë larguar për arsye të bashkamit familjar, ndërsa në vend të tretë (me 6%) renditet ata që janë larguar për arsye edukimi.