Shqiptarët zgjedhin rajonin për të kaluar natën e ndërrimit të viteve
Shqiptarët kanë zgjedhur të shpenzojnë më pak për pushimet e dhjetorit krahasuar me një vit më parë.
Shumë prej tyre kanë preferuar të mos shkojnë më larg se rajoni për të festuar ndërrimin e viteve.
Besnik Vathi: Vendi që ka marrë më shumë është Ulqini, më pas është Struga, Podgorica, Budva. Në jug, në Greqi është Lefkadha, Riviera Olimpike, Alkidiki, Selaniku. Këtyre destinacioneve u shtohen edhe destinacionet e skive.
Përfaqësuesi i shoqatës së Turoperatorëve, Besnik Vathi, thotë se çmimi i përballueshëm është arsyeja e zgjedhjes së këtyre destinacioneve.
Dy ditë në rajon ku përfshihet udhëtimi, qëndrimi në hotel dhe darka e Vitit të Ri kushtojnë mesatarisht 130 euro.
Besnik Vathi: Gjithnjë e më tepër po merremi dhe po organizojmë Vitin e Ri edhe në rajon për t’iu përgjigjur një shtrese më të madhe të popullsisë, për t’iu përgjigjur një buxheti sa më të ulët të mundshëm.
Ndryshe nga stina e verës, në dimër vendi ynë preferohet më pak nga të huajt.
Për shkak të tërmetit një muaj më parë disa prej fluturimeve, kryesisht nga Italia, janë anuluar.
Besnik Vathi: Viti i Ri në Shqipëri nuk është ndonjë tendencë dhe ndonjë mundësi e madhe me të cilën mund të krenohemi. Janë kërkesa të veçanta, kryesisht kanë qenë dhe mbeten në Durrës.
Numri i emigrantëve që u kthyen në atdhe për festa ishte i konsiderueshëm, duke arritur mbi 41 mijë në pak ditë.