Shqiptari vret grekun me thikë, i hyri në banesë dhe iu ankua për muzikën e lartë

Një shtetas grek mbeti i vrarë në ishullin Rodos, i qëlluar me thikë pasi sulmoi dhunshëm banesën e një 46 vjeçari shqiptar për shkak të zërit të lartë të muzikës.

Policia identifikoi si autor të ngjarjes emigrantin që u dorëzua dhe pranoi krimin. Viktima është Jani Maliakas, 49 vjeç nga Ialisu, Rodos. Autor i dyshuar i krimit është 46 vjeçari shqiptar, Dritan Ziu.

I dyshuari dhe viktima ishin fqinjë dhe i kishin apartamentet pranë njëri-tjetrit në një pallat në zonën e Ialisu në ishullin Rodos. Nga hetimi i policisë mësohet se 46 vjeçari shqiptar kishte ngritur lart zërin e muzikës në shtëpinë e tij. Ai gjendej me partneren e tij gjithashtu shqiptare. Fqinji grek iu ankua për zërin e lartë. Por jo vetëm kaq, ai u sul me një gur dhe rrëzoi në tokë portën e shtëpisë së shqiptarit që ishte prej xhami. Këtë e bëri që të futej me forcë në banesën ku dëgjohej muzika. Kur 46 vjeçari shqiptar pa dhe dëgjoi skenën dhe konstatoi se fqinji grek i ishte futur brenda në shtëpi, reagoi ashpër. Ai mori një thikë që gjendej në kuzhinë dhe e qëlloi dy herë në bark grekun duke e plagosur rëndë.

Dërgimi i të dëmtuarit në spital nuk ia shpëtoi dot jetën pasi një nga çarjet e kishte marrë në mëlçi. Partnerja e 46 vjeçarit u lebetit nga ajo që ndodhi dhe kërkoi ndihmë. Kurse 46 vjeçari u zhduk në drejtim të paditur. Policia e Rodos tha se disa orë pas ngjarjes, i dyshuari u paraqit vetë në komisariat për t’u dorëzuar dhe pranoi krimin. Dritan Ziu u mor në pyetje nga grupi i posaçëm hetimor ku tha se nuk kishte pasur si qëllim ta vriste fqinjin grek, por donte vetëm ta trembte pasi pa se i kishte thyer derën e shtëpisë dhe iu fut brenda ndërsa gjendej me të dashurën e tij. I dyshuari u shpreh i penduar për atë që kishte ndodhur.

SHKARKO APP