Shtëpia e Ushtarakëve në Vlorë është kthyer në strehë përdoruesish të drogërave, familjet: Jemi të braktisur
Pa ujë e drita, pa dyer e dritare, pa asnjë kusht minimal higjieno sanitare, në pamundësi dhe të harruar.
Në këto kushte jetojnë brenda godinës së rrënuar të ish-oficerëve në Vlorë, 6 familje në nevojë. Mes tyre një grua e vetme që për dy muaj pret të sjellë në jetë një fëmijë.
“Nuk mund ta përalloj dot me qera. Jam në muajin e 7 të barrës dhe pak më lind fëmija. Të vjedh nuk vjedh dot. Të lyp nuk lyp dot. Bëfshin hajër komshinjtë që na japin diçka për të ngrënë. Unë nuk kam as dritare, as ujë, nuk kam as drita. Këto janë kushtet. Ftohtë është”, shprehet ajo.
Banorët u nxorrën prej aty në muajin janar të këtij viti pasi objekti do ti nënshtrohej rikonstruksionit për t’u shndëruar në zyrën qendrore të Kadastrës, por nga pamundësia për të paguar një shtëpi u detyuruan të rikthehen aty.
“Këtu ndenjëm 2 vjet, sepse ishte e rregullt. Pastaj na nxorrën dhe unë ndenja 3 ditë në rrugë. Pas 3 ditëve shkova dhe gjeta shtëpinë. Ndenja 5 muaj, erdha këtu nga e keqja”, thotë një banore e moshuar.
Në vazhdimësi kanë kërkuar ndihmën e Bashkisë së Vlorës, por thonë se janë braktisur, nëpërkëmbur e injoruar.
“Bashkia thotë që do t’ju rregulloj, por të keqen nëna nuk kam çfarë të them. Jam ku thërret qameti. Kam vajtur te bashkia dhe nuk më zgjidhin as me ndihmë sociale, as në ndonjë punë”, shprehen banorët.
Veç kushteve të mjerueshme thonë se kohët e fundit u është shtuar një tjetër rrezik. Pas largimit të shumicës së banorëve, godina është kthyer në strehë për përdoruesit e drogës.
“Po kthehet në ambient droge, prostitucioni. Ne jetojmë me frikë se ndonjë drogaxhi do të na hyjë nga dritarja ose të na shembë derën si para 3 ditësh.”
Të dorëzuar përballë gjendjes kanë vetëm thirrje për ndihmë. /Ora News