Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se pezulluan  partneritetin e tyre strategjik me Gjeorgjinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se pezulluan  partneritetin e tyre strategjik me Gjeorgjinë lidhur me vendimin e qeverisë për të refuzuar bisedimet drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Masa vjen pas vendimit të partisë pro ruse ”Ëndrra gjeorgjiane” për të pezulluar bisedimet e pranimit në BE, të cilën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller e quajti “tradhti të kushtetutës së Gjeorgjisë”, në një postim në platformën e mediave sociale X.

”Vendimi i ‘Ëndrrës gjeorgjiane’ për të pezulluar procesin e anëtarësimit të Gjeorgjisë në BE bie ndesh me premtimin ndaj popullit gjeorgjian, i sanksionuar në kushtetutën e tij për të ndjekur integrimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe NATO”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.

“Populli gjeorgjian mbështet në masë të madhe integrimin me Evropën”, vazhdoi ai.

“Duke pezulluar procesin e pranimit të Gjeorgjisë në BE, ‘Ëndrra gjeorgjiane’ ka refuzuar mundësinë për lidhje më të ngushta me Evropën”, thekson DASH.

SHBA kritikoi gjithashtu “përdorimin e tepruar të forcës nga policia kundër gjeorgjianëve që kërkojnë të ushtrojnë të drejtat e tyre për tubim dhe shprehje, duke përfshirë lirinë e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore”.

Tensionet në Gjeorgji janë intensifikuar ditët e fundit.

Presidentja pro evropiane, Salome Zourabichvili tha në një video-mesazh të shtunën se ajo do të dorëzonte detyrën, vetëm pasi të vendosej një qeveri e zgjedhur në mënyrë legjitime.

Opozita gjeorgjiane ka refuzuar të njohë rezultatet e zgjedhjeve të 26 tetorit, ku partia nacionaliste ”Ëndrra gjeorgjiane” u shpall fituese nga komisioni zgjedhor.

Në seancën e parë parlamentare që nga zgjedhjet e kësaj jave, ligjvënësit e opozitës refuzuan të merrnin vendet e tyre.

Që nga zgjedhjet, turma të mëdha demonstruesish janë mbledhur në të gjithë Gjeorgjinë për të protestuar kundër vendimit të qeverisë./  a.jor. ATSH

SHKARKO APP