Shteti Bektashi një hap larg? Media franceze zbulon detajet: Pasaportë dhe monedhë e veçantë
Projekti për krijimin e shtetit Bektashi në Tiranë duket se ka hyrë në një fazë të re, ndërsa mediat franceze raportojnë për përparim në negociata dhe përgatitjen e strukturave të këtij entiteti të propozuar.
Sipas Intelligence Online, puna po përqendrohet te hartimi i statutit, ndërsa parashikohen edhe pasaporta të veçanta dhe një monedhë që do të quhet “BEK”. Një pjesë e këtyre përgatitjeve pritet të jetë gati gjatë muajit shtator.
Për procesin dhe përfaqësimin ndërkombëtar janë përcaktuar tre emra kryesorë. Kreshnik Grezda raportohet si ambasador i përgjithshëm, Christopher Hyland si përfaqësues për Shtetet e Bashkuara, ndërsa Hazis Vardar do të përfaqësojë projektin në Francë dhe Belgjikë.
Media franceze e përshkruan projektin si një lloj “Vatikani mysliman”, që do të shtrihej në rreth 11 hektarë në Tiranë dhe do të ishte një nga shtetet më të vogla në botë.
Burime pranë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane konfirmojnë se puna ka vijuar, megjithëse shprehen skeptike se miratimi përfundimtar mund të ndodhë që në shtator. Ndërkohë, projekti synon të shoqërohet edhe me struktura diplomatike dhe simbolike, duke e çuar idenë e hedhur dy vite më parë drejt një faze më konkrete.
KOHA JONË SONDAZH

