Shtohen abortet spontane
Abortet spontane po vinë çdo vit në rritje edhe pse aborti në vetvete ka pësuar ulje. Pamundësia e mijëra prindërve për të mbajtur në duar fëmijën e tyre është rritur ndjeshëm. Vetëm vitin e kaluar rreth 4400 nëna nuk kanë mundur të çojnë deri në fund shtatzëninë e tyre për arsye të ndryshme. Ndërsa ndërprerja e shtatzënisë me kërkesë të gruas është më e ulët, arrin në shifrën 1130. Ekspertja e Shëndetit Publik në sektorin e survejancës së aborteve, Alba Merdani, sqaron se popullsia është ndërgjegjësuar dhe prej vitit 2005 historiku i aborteve ka bërë kthesën e madhe, ku mbizotërojnë ndërprerjet e padëshiruara të shtatzënisë. Pasi para viteve 2000, abortet me kërkesë kanë kapur shifra alarmante, pasi në 2 lindje kishte një abort.
Rritja e numrit të aborteve të padëshiruara është një fenomen global. Për këtë arsye shkencëtarë dhe profesorë në fushën e mjekësisë po bëjnë shumë studime në lidhje me faktorët e jashtëm që ndikojnë në ndërprerjen e shtatzënisë. Një ndër faktorët kryesor që po studiohet është edhe ndotja e ajrit. Sipas studimit më të fundit i kryer në Universitetin Hasselt në Belgjikë, grimcat e ndotjes së ajrit që thithen nga nënat mund të depërtojnë placentën dhe të dëmtojnë fetusin.
Prof Tim Nawrot, i cili drejtoi studimin, ka deklaruar se ka një lidhje shumë të madhe mes ekspozimit ndaj ajrit të ndotur aborteve të rritura, lindjeve të parakohshme dhe peshave të ulëta të lindjes. Gjatë studimit të tyre u ekzaminuan placentat nga abortet dhe zbuluan se grimcat ishin të pranishme edhe në fetuse 12-javorë. Në placentat e nënave që jetonin afër rrugëve kryesore kishte një mesatare prej 20,000 nanopartikulash për milimetër kub. Për ata më larg, mesatarja ishte 10,000 për milimetër kub. Ndaj një apel është që të shmangen rrugët që kanë trafik të rënduar ku ndotja është më e lartë. Sipas profesor Nawrot, studimi tani po thellohet te analizimi i gjakut të fetusit për të parë nëse grimcat shkaktojnë dëmtimin e ADN-së. /Tv klan/