Shugurimi/ Dom Gjergj Meta shpallet Ipeshkv i Dioqezës së Rrëshenit

Në ceremoninë e mbajtur në Katedralen e Rrëshenit morën pjesë personalitete të shumta të politikës, medias, artit, kulturës, sportit, etj..

 

Nga Albina Gjergji

Dita e sotme ka qenë ditë gëzimi për Dioqezën e Rrëshenit. Në një ceremoni madhështore në Katedralen e Rrëshenit dhe me pjesëmarrjen e qindra e qindra besimtarëve është mbajtur shugurimi Ipeshkvnor i Imzot, Gjergj Metës.

I njohur nga gjithë shqiptarët jo vetëm si një prift katolik i devotshëm, por edhe si një personalitet me mendje e zemër të madhe, Gjergj Meta, tashmë Imzot do të mbledhë rreth vetes gjithë grigjën e Mirditës, Matit, Bulqizës dhe Peshkopisë.

Besimtarë të shumtë morën pjesë në këtë gëzim. Miq e dashamirë nga e gjithë Shqipëria ishin nisur pa zbardhur dita për të kremtuar së bashku shugurimin e mirëpritur nga komuniteti katolik e jo vetëm.

Personalitete të ndryshme, figura të politikës, medias, sportit, artit e kulturës ishin gjithashtu të pranishëm.

Në sy ra pjesëmarrja e ish-kryeparlamentares, Jozefina Topalli me bashkëshortin, deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, deputetja e PD-së, Albina Deda Gjoci me bashkëshortin, kryetari i Bashkisë së Mirditës, Ndrecë Dedaj, ish-deputeti i qarkut të Lezhës, Eduard Ndocaj, etj..

Por panorama e kësaj dite të mrekullueshme, nuk mund të quhej e plotë pa përmendur shkëlqimin e klerikëve të shumtë, ardhur nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Italia, etj. posaçërisht për ceremoninë ipeshkvnore të Imzot Gjergj Metës, si dhe Kardinali, Ernest Simoni.

Pas kryerjes së ritualeve dhe meshës së shenjtë, Imzot Gjergj Meta falenderoi të gjithë të pranishmit, që morën pjesë në këtë ditë të shënuar.

Në fjalën e tij ai tha që, Kisha Katolike ka nevojë edhe për të tjerë misionarë, që me ndihmën e Zotit do të vijnë duke u shtuar për të shpërndarë Fjalën e Hyjit.

Ndër të tjera, ai vuri theksin edhe tek varfëria, duke u shprehur se, “dioqeza jonë është e varfër dhe i mirëpresim të gjithë ata që duan të na ndihmojnë. Por, nuk kemi nevojë dhe nuk do të pranojmë kurrë paratë e atyre që janë pasuruar duke shfrytëzuar gratë dhe vajzat, apo duke grabitur, duke bërë korrupsion”.

 

Por, kush është Imzot Gjergj Meta?

Gjergj Meta ka lindur në Rrushkull të Durrësit, më 30 prill 1976. Ka mbuluar disa detyra breda Kishës Katolike në Shqipëri. Është specializuar në Të Drejtën Kanonike në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë, si dhe është docent pranë Institutit Filozofiko-Teologjik të Shkodrës.

Sot Ipeshkv i Rrëshenit, Gjergj Meta deri dje ishte Vikar i Përgjithshëm i Arkidioqezës Tiranë-Durrës dhe zëdhënës i zyrës së shtypit i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Në vitin 2001 është bërë prift dhe nga Viti 2001-2006 ka qenë ndihmës famullitar në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.

Në vitin 2006-2009 ka kryer specializimin për Të Drejtën Kanonike në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë. Në vitin 2009-2012 ka ushtruar detyrën e tij në famullinë e Kamzës.

Në vitin 2012-2016 ka qenë famullitar në Kishën shën Luçia në Durrës.

Nga 2016 deri ka qenë Vikar i Përgjithshëm i Arkidioqezës Tiranë-Durrës, si dhe anëtar i Këshillit Prezbiteral. Gjithashtu Gjergj Meta është anëtar i Kolegjit të konsultorëve.

SHKARKO APP