Shuhet Don Kelmend Spaqi, prifti që shpëtoi civilët gjatë luftës dhe i ra kambanës për iftar

Sot kur besimtarët katolikë do të festonin Ditën e Meshtarit, ata qysh në mëngjes u pikëlluan nga lajmi për vdekjen e famulltarit të Kishës Katolike “Shna Ndout”, Don Kelmend Spaqi, i cili ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare. Gjatë kohës së luftës, Don Kelmend Spaqi kishën katolike në Gllogjan të Pejës e kishte kthyer në një strehë mbrojtëse për civilët shqiptarë nga paramilitarët serbë. Nga banorët e këtij fshati, Don Kelmend Spaqi kujtohej si një patriot i madh, i cili nuk ishte vetëm në shërbim të besimtarëve katolikë, por edhe të atdheut. Prifti i Kishës Katolike “Shna Ndout”, Don Marjan Ukaj, për KosovaPress tha se lajmi për vdekjen e Don Kelmendit ishte i trishtë, sidomos në ditën e sotme, e cila është ditë feste për besimtarët katolikë.

Ukaj tha se Don Kelmend Spaqin e kujton si një njeri të urtë dhe meshtar të devotshëm. “Don Kelmendin e kujtojmë si një njeri të urtë, një njeri punëtor, një meshtar i cili gjithë jetën e tij e ka shkrirë në shërbim të besimtarëve dhe në shërbim të popullit. E kemi pritur shumë keq, sepse në fakt as nuk kemi dëgjuar se këto ditë të fundit ka qenë i sëmurë dhe kur në mëngjes e morëm lajmin, vërtet ishte lajm i trishtueshëm, pasi edhe sot është një festë jashtëzakonisht e madhe për Kishën Katolike, sepse sot është dita e meshtarisë, e enjtja e madhe dhe darka e fundit e Zotit Jezu Krishtit me apostujt, dhe në këtë ditë të meshtarisë, kur një meshtar kalon në amshim, sigurisht do të jetë meshtar në amshim”, tha ai.

Don Kelmend Spaqi, i cili në kishën katolike të Gllogjanit të Pejës si famulltar kishte shërbyer për rreth 15 vite, i kishte dalë në mbrojtje gjithë popullit shqiptar gjatë periudhës së luftës, tregon Don Marjan Ukaj. “Ajo çfarë dëgjojmë nga besimtarët dhe gjithë ata që kanë njohur Don Kelmendin ka qenë se ai ishte një njeri që i ka dashur të gjithë, i ka mbrojtur të gjithë, pavarësisht çfarë feje apo kombi, por i ka prirë të gjithëve, të gjithë i ka pranuar këtu dhe i ka mbrojtur, ka dalë para të gjithëve vetëm për të mbrojtur popullin shqiptar”, deklaroi ai. Një banor i fshatit Gllogjan, i cili ishte strehuar gjatë luftës në Kishën Katolike “Shna Ndout”, Marash Ademi, i pikëlluar për vdekjen e Don Kelmend Spaqit, ndau momente se si ai ishte ballafaquar me forcat serbe dhe u kishte dalë në ndihmë popullatës civile shqiptare.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Me pikëllim të thellë e kemi pritur, duke qenë se ka kontribuar shumë, sidomos gjatë kohës së luftës, ku ai është përgjegjur për tërë popullin e fshatit dhe rrethinës. Ishte kohë kur pritej çdo gjë që do të ndodhte prej forcave serbe dhe ne si fshat, shumica morën vendim të bashkohemi në këtë pikë dhe kemi ardhur në kishë, jemi bashkuar dhe kemi kaluar atë periudhë. Ofensiva e parë që ka ndodhur këtu në këtë fshat, erdhën dhe u vendosën rreth kishës paramilitarë serbë e ushtri dhe duke biseduar me të, i thashë: ‘Zotëri Don Kelmend, fjala është e jotja, sepse ata me ty do të bisedojnë’. E thirrën te dera e kishës dhe pas disa minutash na ftoi, duke thënë që të gjithë të dalim. Don Kelmendi ishte në ballë të tyre dhe u thoshte se populli është i pafajshëm, nuk keni gjë me popullin. Në atë mënyrë që ai ka qenë bari i këtij populli, nuk ishte vetëm populli i krishterë i strehuar në kishë, por ishte edhe populli mysliman. Ai ka qenë për të gjithë i njëjtë”, tha ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Përveç zë i besimtarëve katolikë, Don Kelmend Spaqi gjatë luftës së fundit kishte qenë edhe zë i atyre myslimanë. Gjatë muajit të Ramazanit, duke i rënë kambanës së kishës, i kishte njoftuar myslimanët për kohën e iftarit dhe syfyrit. “Don Kelmendi disa burrave iu kishte thënë: ‘Qëlloi koha e Ramazanit, atëherë kur t’i bie unë kambanës për iftar, dijeni se është iftar; kur t’i bie kambanës, dijeni se është syfyr, nuk kam tjetër rrugëdalje për t’ju njoftuar’. Iu ra në sy serbëve që ti je duke u dhënë shenj myslimanëve, po u tregon kur është iftari e syfyri. Ai u kishte thënë: ‘Jo, kjo është shenjë e kishës, kambana e kishës është kjo, nuk e di kur e kanë ata iftarin e syfyrin’. Figura e Don Kelmendit është një figurë jo vetëm si prift i këtij vendi, por ai ka qenë një patriot shumë i madh, nuk i ka shërbyer vetëm fesë, por i ka interesuar populli shqiptar”, deklaroi ky banor.

Lajmi për vdekjen e priftit, Don Kelmend Spaqi, shkoi edhe në Gjermani. Ish-gazetari Halil Berisha kujton kohën kur, derisa po largoheshin nga shtëpitë e tyre drejt Shqipërisë pasi përndiqeshin nga okupatori serb, në një moment gjatë ballafaqimit me paramilitarët serbë ishte prifti Don Kelmend Spaqi ai që ua kishte shpëtuar jetën.

“Më kujtohet se ishim të rrethuar nga serbët me armë të rënda. E kam pamjen shumë të qartë, sepse në atë kohë flitej për një njësi shumë brutale që kryente krime të tmerrshme. Na ishte thënë se do të na vrasin, por pavarësisht kësaj kishim një shpresë të vogël, sepse na u tha se po zhvilloheshin disa negociata për lirimin tonë. Pastaj na u tha se këto negociata po i bënte prifti i një kishe që ishte aty. Pasi kaloi një kohë, na erdhi lajmi se ne jemi të lirë dhe mund të niseshim në rrugën tonë drejt Shqipërisë dhe na u tha se prifti pati sukses dhe se jemi të lirë. Pra, arriti sukses në këto negociata me ushtrinë serbe”, tha ai.

Famulltari Don Kelmend Spaqi, i cili vdiq në moshën 63-vjeçare, do të varroset të hënën dhe ceremonia e varrimit do të nisë nga ora 11:00 në vendlindjen e tij në Velezh të komunës së Prizrenit. Në dekadën e fundit të jetës së tij, Don Kelmendi ka shërbyer në famullinë e Tivarit, si bashkëpunëtor i Arqipeshkvit të Tivarit, Mons. Rrok Gjonlleshaj. Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se Don Kelmend Spaqi ishte shembull i një kleriku që i shërbeu Zotit dhe kombit. /Kosova Press/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet të nxjerrë PD dhe Opozita emrin e kandidatit për Kryeministër, por të mos jetë Berisha?