Shuhet ish-ambasadori Zingraf. Meta dhe Basha shprehin ngushëllimet: La kontribut të vyer në dobi të zhvillimit të Shqipërisë

Pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf. Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-ambasadorit.

”Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Peter Zingraf, ish-ambasadorii Gjermanisë në vendin tonë, një mik i mirë i Shqipërisë dhe një zyrtar i përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rrugëtimit europian të Shqipërisë. Emri i Peter Zingraf do të jetë pjesë e panteonit të miqve të Shqipërisë që punuan për Shqipërinë Europiane. Në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës, i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, kolegëve dhe popullit gjerman për këtë humbje të madhe. U prehtë në paqen e Zotit”,-thuhet në mesazhin e Bashës.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në mesazhin e ngushëllimit, shkruan se do të ruajë kujtimet dhe vlerësimet më të mira për kohën që bashkoi me të ndjerin Zingraf.

”Me trishtim mësova lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-Ambasadorit të Gjermanisë, Peter Zingraf. Mirënjohje për kontributin e tij të vyer në dobi të zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me Gjermaninë, për përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë të vendit tonë në BE, si dhe për angazhimin e palodhur për forcimin e demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës dhe llogaridhënies në Shqipëri. Do të ruaj kujtimet dhe vlerësimet më të mira për periudhën që bashkëpunuam së bashku! Ngushëllime familjes, kolegëve të Ambasada Gjermane Tiranë, si dhe autoriteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë mike dhe partnere strategjike”.

SHKARKO APP