Shuhet mjeshtri i këngës dibrane, la amanetin: Më varrosni në Zall-Dardhë

Ka humbur betejën me jetën pas një sëmundje të rëndë, këngëtari i njohur dibran Qerim Sula. Ai mban titullin Mjeshtër i Madh. Këngëtari i këngëve epike dhe traditës u nda nga jeta në moshën 69-vjeçare. Amaneti i tij ”Më varrosni në Zall-Dardhë, aty ku linda”.

Qerim Sula lindi në 12 prill 1951. Edhe pse mbaroi shkollën mekanike, ai ishte i dashuruar dhe i përkushtuar për muzikën, ndaj që në moshë të re u aktivizua me grupet amatore të Zalldardhës, ndërsa në vitin 1967 me ansamblin “Dibra”. Më 1968 bën prezantimin e parë në Festivalin e Parë Folklorik të Gjirokastrës me këngën e Hazis Ndreut, “Kënga e Lam Dacit”, ku u vlerësua me çmim të parë për interpretimin e tij. Ka marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike deri në vitin 2000.

Ai është aktivizuar në mjaft trupa e ansamble, si dhe ka qenë pjesëtar i Estradës Profesioniste të Peshkopisë. Ka kënduar në shumë skena të vendit por edhe jashtë shtetit, si në Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë, etj.

Në vitin 1981 ishte në Kosovë me ansamblin “Kuksi i ri”. Në repertorin e tij ka një numër të madh këngësh epike, duke qenë nga këngëtarët më të suksesshëm të trevës së veriut, i vlerësuar me mjaft çmime e diploma të ndryshme, në aktivitet kombëtare. Ka realizuar dy albume me këngët më voluminoze dibrane.

SHKARKO APP