“Shumë kulla financohen nga mafia, ka administratorë të dënuar për trafik droge”

Analistët debatuan në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV për burimin e parave me të cilat po ndërtohen dhjetra kulla në Tiranë apo resorte në bregdet.

Sipas Neritan Sejaminit në vitin 2019 në Shqipëri pastroheshim 500-750 milionë euro dhe se sot mund të kenë arritur në mbi një miliard euro. Ndërsa gazetarja Klodiana Lala u shpreh se ka raste kur janë nënkontraktorë me administratorë të dënuar për trafik drogë dhe se autoritetet kanë mbyllur sytë përpara kateve pa leje në qendër të Sheshit “Skënderbej”.

Pjeë nga biseda

Neritan Sejamini: Ka një konsensus që shumat të cilat investohen në ndërtim dhe përdoren për të blerë apartamente nuk dalin nga sektori bankar.

Nuk vijnë nga ekonomia e ligjshme, se nga vijnë mund të spekulojmë. Hipoteza është që vijnë nga trafiku i paligjshëm i drogës. Të dhënat ekonomike, asnjëra nuk justifikon këtë lloj bumi të ndërtimit. Ka patur një studim tjetër, i një organizate serioze të gazetarëve kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, në Shqipëri pastroheshim 500-750 milionë euro. Bëhet fjalë në vitin 2019. Sot mund të kenë arritur në mbi një miliard euro.

Është kulla që ka thënë zonja Lala është nën hetim.

Burimi i parave nuk dihet. Nuk janë as kulla që po shiten.

Ylli Rakipi: Ka kulla që janë ndërtuar, janë mbaruar, ka edhe në proces dhe nuk hetohet. Pse jo?

Neritan Sejamini: Di të them që të gjithë treguesit ekonomikë të bëjnë të mendosh që financimi i këtij aktiviteti ekonomik, vjen nga burime jashtë ekonomisë së ligjshme. Nuk shpjegohet nga faktorët ekonomikë. Hipoteza është që vijnë nga trafiku i drogës.

Klodiana Lala: Sa u përket kullave, duhet të ketë vullnet nga institucionet e drejtësisë për të hetuar. Kompanitë marrin leje ndërtimi dhe ka leje të rritura në mënyrë eksponenciale, pa fund leje ndërtimi. Papritmas sheh në mes të Tiranës, dhjetë kate pa leje. Institucionet nuk janë asgjëkundi. Mu në Sheshin “Skënderbej” ngrihen shumë kate pa leje. Zyrtarët mbyllin sytë dhe nuk shohin që në kullën “Syri i Tiranës” janë shumë kate pa leje. Të gjithë kanë heshtur. Mjafton që një prokuror ta çelë këtë hetim, se kush janë zyrtarët që e kanë lejuar.

Ka raste kur janë nënkontraktorë me administratorë të dënuar për trafik drogë.

SHKARKO APP