Si do të jetë bota në vitin 2045?
Të parashikosh të ardhmen, e aq më tepër se si do të jetë bota tri dekada më vonë, në një periudhë paqartësish dhe pasigurish si këto të viteve të fundit, është një sfidë më vete.
Por, ka nga ata që e bëjnë dhe që mund të quhen edhe ekspertë për këtë. Ekspertët e DARPA-s (Defense Advanced Research Projects Agency), agjenci e ngritur në vitin 1958 e që punon për llogari të Pentagonit, folën për “Business Insider”.
Pra si do të jetë bota në vitin 2045?
Me gjasa robotët dhe inteligjenca artificiale do të transformojnë rrënjësisht një pjesë të madhe të industrisë, avionët e telekomanduar do të nisin të përhapen gjithnjë e më shumë, duke u hedhur nga sektori ushtarak edhe në atë civil, dhe makinat autonome do të na lehtësojnë jetën.
Këto janë disa nga parashikimet e lehta, që mund të mbërrijnë shumë më herët sesa ky vit, duke parë zhvillimin e secilit sektor vitet e fundit. Andaj ekspertët e DARPA-s shkojnë akoma më tutje.
“Imagjinoni një botë ku të kontrolloni shumicën e gjërave vetëm me mendim?! Po sikur të kontrolloni aktivitete të ndryshme në shtëpinë tuaj, duke përdorur vetëm sinjalet e trurit, ose të komunikoni me miqtë, ose familjen tuaj, vetëm me përdorimin e aktivitetit nervor të trurit tuaj”, thotë Justin Sanchez, një neuroshkencëtar dhe drejtor i Zyrës së Teknologjisë Biologjike në DARPA.
Duke ditur se sot, truri mbetet ende organi më misterioz i trupit të njeriut dhe shkencëtarët pohojnë vetë se dinë shumë pak mbi të dhe mënyrën sesi funksionon, të ndodhë parashikimi i Sanchez për tri dekada duket i pamundur.
Por, vetë neuroshkencëtari i Pentagonit është shumë optimist.
“DARPA është duke punuar me neuroteknologjinë dhe ka disa eksperimente futuristike, si implanti i trurit për të kontrolluar gjymtyrë prostetike”, thotë ai.
Vetëm javën e kaluar, DARPA tregoi me krenari njërin prej këtyre eksperimenteve, ku një njeriu të paralizuar i dha për herë të parë ndjesinë e prekjes, duke përdorur teknologjinë e implantit në tru.
Por e ardhmja nuk do të ketë vetëm implante të trurit dhe neuroteknologji, por rezervon edhe shumë zhvillime të tjera të rëndësishme. Stefanie Tompkins, gjeologe dhe shefe e Zyrës së Shkencave në DARPA, thotë se brenda pak dekadave njerëzimi do të jetë në gjendje që të ndërtojë godina me materiale më të lehta, më pak ndotëse dhe shumë herë më rezistente se godinat aktuale.
“Pas 30 vitesh unë parashikoj një botë që ne as nuk do të jemi në gjendje që të njohim materialet që na rrethojnë”, thotë ajo.
DARPA parashikon revolucion në marrëdhënien njeri-makineri inteligjente, marrëdhënie sipas parashikimit të ekspertëve do të thjeshtohet dhe lehtësojë gjithnjë e më shumë jetën e njeriut. /tch/