Si mund të mbrohen politikanët?

DW

Pas dhunës së fundit kundër politikanëve, ministrja federale e Brendshme Nancy Faeser dëshiron të diskutojë shpejt masat mbrojtëse. Sulmi kundër një politikani socialdemokrat ka shkaktuar reagime të mëdha në Gjermani.

Në Berlin dhe Dreseden janë mbajtur të dielën në mbrëmje edhe protesta pas sulmit brutal ndaj një politikani të SPD-së në Dresden. Ministrat e Brendshëm të landeve federale duhet të hartojnë masa urgjente për mbrojtjen e politikanëve. Ministrja Federalee Brendshme, Nancy Faeser ka kërkuar që javën e ardhshme të mbahet një konferencë e posaçme. Faeser ka kërkuar konferencë urgjente.

“Këtyre akteve shteti kushtetues duhet dhe do t’u përgjigjet me veprime të ashpra dhe masa të mëtejshme mbrojtëse për forcat demokratike në vendin tonë”, tha ajo. Sulmi i fundit ishte “një dimension i ri i dhunës antidemokratike.”

Kandidati kryesor i SPD-së për zgjedhjet evropiane, Matthias Ecke, u rrah të premten në mbrëmje në Dresden nga katër persona të panjohur teksa vendoste posterë parazgjedhorë në Dresden. Eurodeputeti 41-vjeçar ndodhet në spital dhe ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Sipas policisë, dyshohet se i njëjti grup kishte sulmuar dhe plagosur edhe një aktivist të fushatës së Partisë së Gjelbër. Sipas dëshmitarëve, ata ishin të veshur me rroba të errëta, tha një zëdhënës i policisë. Një dëshmitar ishte i mendimit se sulmuesit i përkasin spektrit të djathtë politik. Hetimi do të tregojë, nëse kjo është e vërtetë. Sipas Ministrisë së Brendshme në Saksoni, Zyra e Policisë Kriminale po heton këto raste.

Armiqësia ndaj politikanëve

Sulmi shkaktoi zemërim mbarëkombëtar. “Ky shpërthim dhune është një paralajmërim”, tha presidenti Frank-Walter Steinmeier të shtunën. Ai u bëri thirrje të gjithëve që të zhvillojnë debatin politik në mënyrë paqësore dhe me respekt dhe u bëri thirrje mbështetësve të demokracisë liberale që të qëndrojnë së bashku përtej linjave partiake kundër sulmeve. Kancelari Olaf Scholz (SPD) tha se demokracia kërcënohet nga diçka e tillë, “dhe kjo është arsyeja pse një opsion i tillë nuk duhet të pranohet kurrë”.

Zëvendës kancelari Robert Habeck (Të Gjelbërit) shpjegoi: “Ata janë rezultat i neveritshëm dhe i pafalshëm i një brutalizimi të gjuhës, debatit dhe mosfrenimit në të ashtuquajturat media sociale.” Ministri i Financave, Christian Lindner (FDP) paralajmëroi se “mosfrenimi i debatit politik na prek të gjithëve”. Kushdo mund të jetë i radhës. “Kjo është arsyeja pse ne të gjithë jemi të thirrur të kundërshtojmë përshkallëzimin.”

Shtohen sulmet

Incidentet në Dresden janë pjesë e një serie sulmesh mbarëkombëtare ndaj anëtarëve të partive përpara zgjedhjeve lokale dhe evropiane të 9 qershorit. Vetëm të enjten në mbrëmje në Essen, pas një aktiviteti të Partisë së Gjelbër, anëtari i Bundestagut Kai Gehring dhe kolegu i tij i partisë Rolf Fliß thanë se u sulmuan. Fliß u rrah. Nënkryetarja e Bundestagut Katrin-Göring-Eckardt u sulmua verbalisht në Brandenburg një javë më parë. Ka dyshime se këto sulme janë të orkestruara, ndërsa niveli i dhunës është tërësisht i papranueshëm dhe ka për synim përhapjen e frikës. Ekzistojnë dyshimet po ashtu se akte të tilla mund të përsëriten.

Sipas një përgjigjeje nga qeveria federale, nga dhuna në veçanti janë prekur politikanët e Partisë së Gjelbër. Sipas shifrave paraprake, 1219 raste të sulmeve u regjistruan në vitin 2023. Kjo është një rritje e konsiderueshme në vitin 2022 ka pasur 575 vepra penale. Politikanët e AfD-së gjithashtu u sulmuan shpesh fizikisht. Statistikat paraprake regjistrojnë 478 raste. SPD është e treta për nga sulmet, me 420 vepra kriminale kundër tyre. Autoritetet thonë se 10.537 sulme kundër politikanëve janë raportuar nga 2019 deri në 2023.

SHKARKO APP