Si të përgatisni ballokumet e Elbasanit, tradita e Ditës së Verës
Në Ditën e Verës, janë gatuar e tregtuar gjithandej nëpër Shqipëri, ballokumet. Por shija e tyre e vërtetë mund të dallohet vetëm në qytetin që i krijoi, Elbasan.
Gjithsesi, ne ju sjellim sot recetën tradicionale të ballokumeve. Ju këshillojmë të përdorni përbërës të freskët fshati.
Përbërësit:
1 kg miell misri
500 g gjalpë i freskët
8 kokrra vezë
Pak finjë zjarri
500 gr sheqer
Përgatitja: Të gjithë përbërësit përzgjidhen në kushte natyrale. Gjalpi i freskët tretet dhe vendoset në enën e ballokumes. Mbi gjalpë hidhet pak e nga pak sheqer dhe të dyja rrihen gjatë nga një lugë druri. Me pas hidhen vezët një e nga një ndërkohë që rrahja me lugë vazhdon. Pastaj e ka radhën hedhja e miellit të misrit. Mielli i misrit hidhet me ngadalë dhe përzihet vazhdimisht me lugën e drunjtë. Në masën e formuar hidhet pak finjë zjarri. Rrahja duhet të bëhet me dore. Brumi i formuar nga kjo përzierje merret më lugë druri dhe vendoset ne topa ne tepsi dhe futet në furrë. Piqet dhe shërbehet në formën e kulaçeve.