Si u ngjit dhe si ra Artan Didi. Karriera e 52 vjeçarit në polici dhe lidhjet e tij me të majtën

 

Në fakt Artan Didi, mbahet mend si komandant i RENEA-s, ku mori pjesë në disa aksione të rrezikshmërisë së lartë.

Didi 52 vjeç ka një karrierë të pasur në radhët e Policisë, të nisur që në vitin 1997. Ai ka mbajtur disa funksione drejtuese në radhët e Policisë, si drejtues i repartit të forcave speciale RENEA deri në vitin 2000. Në këtë detyrë ai u shqua dhe u bë i njohur pasi shpëtoi një atentati më 24 tetor të vitit 1998, gjatë një aksioni për kapjen e një shtetasi arabo-egjiptian, që kërkohej për 25 krime dhe terrorizëm.  Artan Didi mbeti i plagosur gjatë aksionit që u zhvillua pranë “Oxhakut” në Tiranë, kur një skuadër e RENEA-s shkoi për të arrestuar shtetasin arab që hapi zjarr ndaj Policisë, por më pas mbeti i vrarë. Emri i Didit si drejtues operacioni u përmend edhe gjatë vrasjes së shtetasit Flamur Pisli në 28 maj 1999. Pisli kishte marrë peng një autobuz me pasagjerë që udhëtonte drejt Greqisë, por bashkë me të, policia vrau edhe një nga pengjet. Më pas, kur u ngjit në krye të policisë, opozita e akuzoi atë për këtë vrasje duke nxjerrë në publik edhe një video. Por socialistët i dolën në mbrojtje duke thënë se pikërisht këto filmime, provonin profesionalizmin e lartë të Artan Didit.

Më pas Didi drejtoi Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për disa muaj, ndërsa u emërua drejtor i Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit. Këtë detyrë Artan Didi e mbajti deri në vitin 2005, kur doli në lirim pas ardhjes së qeverisë Berisha në pushtet. Ndoshta ky largim brutal la gjurmë në jetën e tij dhe e afroi Didin edhe më shumë me të majtën.

Pas lirimit ai nisi një aktivitet privat, derisa bashkë me familjen e tij fitoi lotarinë amerikane, u pajis me Green Card dhe udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku jetoi deri para zgjedhjeve të vitit 2013. Në këtë periudhë u kthye në atdhe dhe i shërbeu PS-së në zgjedhje. Ndoshta kjo qe dhe atuja e tij më e fortë që e ngriti në krye të uniformave blu. Por edhe pasi e veshi uniformën dhe vuri gradat. Nga kjo periudhë atij do ti mbahet mend aksioni antidrogë në Lazarat e Dukagjin. Ai mbetet ne thelb nje oficer korrekt me ligjin dhe ndergjegjen e tij profesionale.

SHKARKO APP