
Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë (SPASH) dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar (SBASH) kanë shprehur mbështetjen për protestën kombëtare të studentëve, të paralajmëruar për të shtunën, më 24 tetor 2026.
Në deklaratën e saj, SPASH njofton se do të marrë pjesë në protestë në orën 11:00, përballë Kryeministrisë, ndërsa në orën 14:00 do t’u bashkohet studentëve pranë Ministrisë së Arsimit.
“SPASH shpreh mbështetjen dhe solidaritetin e saj për protestën e së shtunës, duke qëndruar në krah të nxënësve, studentëve dhe pedagogëve në mbrojtje të të drejtave të tyre”, thuhet në deklaratë.
Sindikata thekson se zëri i komunitetit arsimor duhet të dëgjohet dhe të respektohet, duke mbështetur përpjekjet për përmirësimin e arsimit dhe mbrojtjen e dinjitetit e të ardhmes së brezave të rinj.
Mbështetje për studentët ka shprehur edhe SBASH. Në njoftimin e përcjellë nga dega e saj në Kavajë, sindikata shpreh solidaritet me studentët dhe Sindikatën e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), si dhe u bën thirrje mësuesve t’i bashkohen protestës.
“Sulmi ndaj mësuesit është sulm ndaj arsimit dhe së ardhmes së vendit”, theksohet në njoftim, ku kërkohet bashkim dhe një zë i përbashkët i komunitetit arsimor kundër padrejtësive.
