Sinjalistika dhe emigrantët, shkak për shtimin e aksidenteve
Fluksi i lëvizjeve por edhe pakujdesia e drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë kanë bërë që vetëm në muajin korrik të regjistrohen 412 aksidente rrugore. Numri më i madh i aksidenteve është shënuar në kryeqytet me 133, ndërkohë që nuk mbeten pas zonat bregdetare të cilat kanë vetëm një rrugë dhe ato të ngushta.
Mungesa e sinjalistikës rrugore dhe fluksi i lartë i makinave të emigrantëve në vend janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve në vend. Alarmi ngrihet nga specialistët e fushës, sipas të cilëve ka masa të pakta parandalimi të aksidenteve. Sipas ekspertit, Gëzim Hoxha, nevojitet krijimi i autoritetit të mbikëqyrjes rrugore. Numri i udhëtarëve që kanë humbur jetën në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 si pasojë e aksidenteve rrugore është rritur në 102 nga 98 që u regjistruan në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Referuar të dhënave të INSTAT, edhe gjatë muajit qershor numri i qytetarëve që kanë humbur jetën ka qenë 26 persona, nga 20 që ishte në 2018. Si shkak ekspertët e vënë theksin te mungesa e theksuar e sinjalistikës rrugore, por dhe fluksit të lartë të automjeteve në sezonin e verës dhe në fund të vitit kur emigrantët kthehen në atdhe.
Gëzim Hoxha, thotë se në rrugët e vendit ka masa të pakta për parandalimin e aksidenteve. ”Shkaqet e aksidenteve janë të shumta. Ndër to fluksi, në këtë periudhë vinë shumë turistë, veç turistëve edhe shqiptarë që kthehen për tu takuar me familjarët e tyre. Janë të shkujdesur, janë të lodhur, përdorin pije alkoolike, nuk zbatohet sinjalistika rrugore. Kemi mungesë të theksuar të përdorimit të sinjalistikës”.
Pavarësisht numrit të lartë të aksidenteve, në Shqipëri ka më pak automjete krahasuar me popullsinë. Në vitin 2017 për çdo 1000 banorë u regjistruan 147 makina. ”Me këto masa të mangëta që kemi gjendja nuk do të ndryshojë. Duhet vetëm një gjë, një Autoritet i Mbikqyrjes së Sigurisë Rrugore, i cili përfshin të gjitha këto. Sot që flasim nuk ka zgjidhje dhe unë e shoh situatën të frikshme”. Në Shqipëri numërohen rreth 57 pika të zeza në infrastrukturën rrugore. Mësohet se ARRSH ka ndërhyrë në 16 të tilla, ndërsa po vijon puna për të rehabilituar situatën në 41 të tjera. Vetëm për vitin 2019, ndërhyrja do të bëhet përmes një buxheti prej 320 mijë eurosh.