Sistem i ri prokurimesh në bashkëpunim me Bankën Botërore, Ibrahimaj: Shqipëria, vendi i parë që do të përdorë inteligjencën artificiale

Shqipëria synon të përdorë inteligjencën artificiale në të gjithë procesin e prokurimit publik, tha të premten ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një forumi me përfaqësues të biznesit dhe ekspertë të fushës mbi nxitjen e pjesëmarrjes së bizneseve në procedurat e prokurimit të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP). Për të vendi ynë mund të jetë i pari që aplikon inteligjencën artificiale në të gjithë ciklin e tenderëve, nga shpallja deri te përzgjedhja. ”Besoj se Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të përdorë inteligjencën artificiale në të gjitha proceset e prokurimit. Ka vende të cilat e përdorim për një pjesë të procesit, por jo në të gjithë procesin”, deklaroi Ibrahimaj.

Në Forumin e Tiranës, Ibrahimaj theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes qeverisë dhe sipërmarrjes për rritjen e konkurrencës, transparencës dhe eficiencës në përdorimin e fondeve publike. Ajo tha se sa më shumë biznese të marrin pjesë në tenderë, aq më e fortë bëhet konkurrenca dhe aq më shumë përfitojnë qytetarët në cilësi dhe çmime. Ibrahimaj njoftoi se pas ndryshimeve ligjore të fundit, Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të marrë edhe përgjegjësinë për prokurimet në fushën e teknologjisë së informacionit.

“Kjo është një punë e përbashkët. Qëllimi ynë është të krijojmë një sistem prokurimi sa më transparent, efikas dhe gjithëpërfshirës, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe përgatitjes së bizneseve shqiptare për tregun europian”, deklaroi Ministrja Ibrahimaj. Administratorja e OBP-së, znj. Arlinda Pogaj, prezantoi rolin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara në standardizimin dhe konsolidimin e procedurave të prokurimit, duke theksuar se institucioni synon të krijojë një model më të parashikueshëm dhe më të hapur për tregun.

Swiss Digital Desktop Reklama

“OBP është e angazhuar për të krijuar rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë. Qëllimi ynë është që prokurimi publik të jetë i parashikueshëm, transparent dhe i aksesueshëm, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Besojmë se vetëm përmes dialogut të vazhdueshëm me biznesin mund të ndërtojmë një sistem që funksionon në dobi të ekonomisë dhe qytetarëve,” u shpreh Pogaj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë 21 muajve të aktivitetit të tij, OBP ka zhvilluar afro 1000 procedura për 216 institucione publike në rreth 40 fusha të ndryshme, duke kursyer rreth 35.5 milionë euro për buxhetin e shtetit. Në forum, përfaqësues të biznesit ngritën shqetësime për kriteret dhe procedurat, ndërsa kërkuan më shumë qartësi dhe parashikueshmëri në tenderë. Mes tyre ishte edhe Arben Shkodra, i cili theksoi nevojën për dialog të vazhdueshëm mes institucioneve dhe sipërmarrjes.

“Biznesi ka nevojë për rregulla të qarta, procedura të standardizuara dhe parashikueshmëri. Forume të tilla krijojnë hapësirën e nevojshme për të ndërtuar besim dhe për të adresuar konkretisht barrierat që hasen në praktikë,” u shpreh Shkodra.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?