Situata Covid-19, Dasho: Duhet vepruar urgjentisht, të bëhen të paktën 2 mijë teste në ditë!
Ekspert i Shëndetit Publik Erion Dasho, duke folur në Abc News për situatën aktuale të krizës së koronavirusit në vend, është shprehur se testet që po bëhen aktualisht, nuk e pasqyrojnë realitetin.
Me anë të disa përllogaritjeve që ai bën, duke marrë parasysh numrin e vdekjeve ditore, apo edhe testet që po bëhen aktualisht nga ISHP, Dasho thotë se mendimi i tij është që numri real i të infektuarve në ditë është diku tek 500-600 raste.
Sipas tij, në këto rrethana duhet të merren masa urgjentish dhe të aktivizohet sa më shpejt “trinomi Testo-Gjurmo-Trajto.”
I pyetur nëse duhen bërë teste në masë në vendin tonë, Dasho thotë se për këtë duhen struktura që nuk mund të ngrihen brenda ditës ndërsa shton se sistemi ynë shëndetësor nuk e ka as kapacitetin për ta bërë këtë.
Dasho: “Taktika të testeve masive ndoqën Kina në Wuhan, Hong Kongu, Koreja e Jugut, Singapori etj., por kjo kërkon struktura shumë të forta të shëndetit publik. Tajvani ishte i përgatitur që nga shpërthimi i SARS-it vite më parë.”
Ekspert i Shëndetit Publik shtoi se në duhet të bëjmë teste me idikacione, por edhe ky nuk është duke u bërë në mënyrë të plotë.”
I pyetur se si duhet të veprohet nëse ka rritje më tej të rasteve, Dasho thotë:
“Trinomi të zbatohet menjëherë. Kjo është pranuar nga OBSH, CDC amerikane, evropiane dhe institute të tjera prestigjoze. Duam apo nuk duam ne forcimi i kapaciteteve të testimit është detyrim. Nuk është më fakultative. Nëse sektori publik nuk e ka të të mundur, të përfshihet ai privat. Gjurmimi tradicional nuk mjafton, duhet të implementohen masat inteligjente. Të përshkallëzohet numri i testeve. Trajtimi është elementi thelbësor…”
Po ashtu, sipas Dashos në skemën e trajtimit duhet të përfshihen më shumë mjekët familjarë dhe të angazhohen sa më shpejt spitalet rajonale për personat që nuk kanë shumë komplikacione.
Ndërsa, i pyetur sesa na mbron maska nga koronavirusi, Erion Dasho sqaroi se maskën e vendosim më shumë për të mbrojtur të tjerët, dhe po ashtu, të tjerët e vendosin për të na mbrojtur ne.
“Sot ka një konsensus të gjerë se maska ofron një mbrojtje të mirë. Duhet përdorur në mënyrë korrekte, por jo siç e shohim në transportin publik. Duhet ta mbajë të paktën 80 për qind e komunitetit në mënyrë korrekte. Personi që e mban maskën e mban për të mbrojtur të tjerët. Dhe të tjerët duhet ta mbajnë maskën për të na mbrojtur ne. Ky koncept nuk duhet të prishet,” shpjegon ai më tej.