Situata dramatike me zjarret, deklaratë e Ministres së Mbrojtjes: Vendi drejt një situate shumë të vështirë
Situata dramatike me zjarret ka detyruar Ministrinë e Mbrojtjes që të dalë sot para medias e të deklarohet lidhur me situatën.
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli tha se “situata e rëndë është në gjithë Evropën.”
Ministrja ka pranuar se vendi është në një situatë të vështirë, duke e konsideruar këtë muaj një nga më të nxehtit. Ajo tha se janë zhvilluar 102 operacioni në ndihmë të komunitetit në të gjithë vendin, ndërsa theksoi angazhimin maksimal të shtetit dhe të kryeministrit Edi Rama.
“Vendi drejt një situatë shumë të vështirë. Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura janë në krye të detyrës dhe kanë ndërhyrë në ndihmë të komunitetit me të gjitha kapacitetet. Ka angazhim maksimal. Kryeministri Rama vazhdon të ndjekë me detaje të gjitha operacionet e ndërmarra.
Përgjatë një muaji kalendarik, një më të nxehtit e regjistruar ushtarakët tanë kanë zhvilluar 102 operacione në ndihmë të komunitetit në 12 qarqe, 2700 forca të angazhuara ose 1/3 e të gjithë forcës së Armatosur”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes.
Qeveria dhe kryeministri Edi Rama janë vënë këto ditë në shënjestër të akuzave sidomos nga opozita për situatën nga zjarret duke aluduar për mungesë angazhimi. Madje LSI ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga zjarret, ashtu siç ka bërë Maqedonia.

