Situata e koronavirusit në vendin tonë: Vetëm 101 shtretër të lirë në spitalet kovid

Situata e Covid-19 në tre spitalet ku marrin shërbim pacientët me koronavirus, ka sjellë këto ditë indinjatën e familjarëve, të cilëve u është ndaluar kontakti me të afërmit e tyre që ndodhen në këto spitale.

Spitali Infektiv, spitali “Shefqet Ndroqi”, spitali Covid-3, të cilët presin të prekurit me Covid-19 duket se kanë ezuaruar thuajse të gjitha kapacitetet e tyre për të pritur pacientët e tjerë të prekur me kovid.

Ministria e Shëndetësisë, njoftoi ditën e djeshme për 449 persona të shtruar në tre spitalet kovid, ndërkohë janë gjithsej 550 shtretër në katër strukturat në kryeqytet. Kjo do të thotë se kanë ngelur edhe 101 shtetër, të paktën nga raportimi i djeshëm i Ministrisë së Shëndetësisë.

Me t’u plotësuar edhe këto hapësira, atëherë do të jetë e nevojshme hapja e spitaleve rajonale për të pritur dhe për të trajtuar të prekurit me Covid-19.

Gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi, e cila ndodhet në ambientet e spitalit Infektiv raporton se situata në spitalin “Shefqet Ndroq”, ku trajtohen të prekurit me kovid, krahasuar  me një ditë më parë, gjendja është e qetë. Numri i autoambulancave, thuajse ka qenë i ulët.

Ajo që është vërejtur, është një lëvizje më e shtuar në spitalin Covid 3. Edhe në spitalin Infektiv, situata parqitet e qetë. Duhet theksuar se tek të tre spitalet, vihet re një numër i konsiderueshëm familjarësh, të cilët presin, qoftë për informacion, qoftë për t’u dërguar ushqime apo gjëra të tjera për të afërmit e tyre në ambientet e spitaleve.

SHKARKO APP