Situata e përmbytjeve, rritet fondi për emergjenca/ Ndahen 5.4 mld lekë

Emergjencat civile do të marrin 5.4 mld lekë në vitin 2024. Fondi është 1 mld lekë më i madh se në vitin 2023, si përgjigje ndaj katastrofave natyrore, të cilat nga viti në vit po shtohen me një koeficient rreziku në rritje.

Fondet për programin e Emergjencave Civile, janë pjesë e buxhetit të parashikuar për Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërkohë, një pjesë e tij, në vlerën 800 mln lekë u ndahet edhe bashkive, sipas një formule që llogarit shtrirjen e tyre territoriale dhe riskun që mbartin për zjarre ose përmbytje.

Në buxhetin e emergjencave, 1 miliard lekë do të përdoren për projekte, që synojnë të parandaluar fatkeqësitë natyrore. Për të përfituar nga ky fond, bashkitë duhet të aplikojnë nga nëntori i këtij viti deri në 31 janar 2024.
Më pas po në këtë program 500 milionë lekë do të përdoren për financimin e projekteve për digat, dhe 200 milionë lekë do të shpenzohet për eliminimin e pasojave në rastet e fatkeqësive natyrore, kur shpenzimi ka natyrën e investimit.

Ky fond shpërndahet gjatë vitit në bazë të kërkesës bashkive, sipas rasteve të ndodhjes së fatkeqësisë.

SHKARKO APP