Situata me COVID, mjeku Alimehmeti optimist: Edhe vjeshta pritet e qetë! Nuk jam dakord për vaksinimin e fëmijëve
Situata me pandeminë e koronavirusit në vend është përmirësuar ndjeshëm, e duket se do të kemi jo vetëm një verë të qetë, por edhe vjeshta që vjen nuk pritet të sjellë rritje drastike infeksionesh.
Kjo u bë me dije nga mjeku Ilir Alimehmeti, i cili tha në “Report TV” se falë numrit të të vaksinuarve dhe të atyre që tashmë e kanë kaluar COVID, kjo vjeshtë nuk do të jetë aspak e ngjashme me atë të një viti më parë.
“Situata paraqitet mjaft e qetë. Po të shohim incidencën 2 javore për 100 mijë banorë, tani që flasim është 6.9, që është mjaft e ulëm. Situata është krejtësisht nën kontroll, pritej për shkak të numrit të lartë të atyre që e kaluan dhe të të vaksinuarve. Grumbullimi duhet evituar teorikisht, por ne patëm në Shqipëri edhe një proces zgjedhor që solli shumë grumbullime, më pas patëm festë ne Bajramit, këto nuk u shoqëruan me rritje të rasteve, ky është një eksperiment natyrorë të themi që tregon se Shqipëria nuk ka nevojë për vitin të grumbullimeve të këtij tipi. Megjithatë, ato grumbullime që mund të evitohen, të evitohen. Risku i infektimit është shumë i ulët, transmetimi nuk është komunitar. Sa i përket vaksinimeve ne kemi rreth 9.5% të popullatës të vaksinuar me dy doza, nuk është shifra aty ku duhet për imunizimin e 75% të popullatës. Përqindja e personave që e kanë kaluar COVID është më e lartë se ai i të vaksinuarve. Vjeshta do të jetë prova e zjarrit, ku do të na ketë çuar imunizimi natyror dhe ai artificial, do të na e tregojë vjeshta dhe dimri që vjen. Por duke marrë parasysh që numri i personave që e kanë kaluar është shumë i lartë, nëse nuk do ketë variante të reja që do kapërcejnë imunizimin, besoj se do të vijë një vjeshtë e qetë, jo e krahasueshme me atë të vitit të kaluar, por do të jetë një valë shumë më qetë. Sensi i vaksinimit është ai i kthimit në jetën normale, kjo është arsyeja pse e bëjmë. Në situatën ku ne jemi, situata është shumë e qetë, transmetimi nuk është komunitar”, tha mjeku.
I pyetur për vaksinimin e fëmijëve, që tashmë po kryhet në shumë vende, përfshirë edhe SHBA, Alimehmeti u shpreh skeptik, duke thënë se, sipas tij, është më mirë të pritet që vaksinat të marrin një certifikim të plotë pasi, deri më tani, asnjëra prej tyre nuk e ka një të tillë dhe kanë marrë vetëm një miratim emergjence.
“Vaksinimi i fëmijëve ka dy diskutimi, së pari bazuar mbi riskun, që rreziku nga COVDI për ata është shumë i vogël dhe t’i bësh një vaksinë për të cilën për asnjë nuk ka një certifikim të plotë, por miratim emergjence dhe ti bësh fëmijëve një vaksinë duke mos ditur mirë se çafrë ndodh në afatgjatë, unë do ngurroja pak, do thoja më mirë të presim pak, të paktën të kenë aprovim të plotë dhe miratim emergjence”, shtoi mjeku.
Një apel ai e pati edhe për qytetarët këtë vit ku, atyre që e kanë kaluar COVID apo janë vaksinuar i këshilloi të jenë më të qetë psikologjisht, ndërsa për të tjerët kërkoi që të mbajnë një lloj mbrojtje për të mos rrezikuar infektimin.
“Kush e ka kaluar COVID, apo është vaksinuar duhet të jetë nga ana psikologjike më i qetë, ata që nuk e kanë kaluar apo nuk janë vaksinuar, duhet të mbajnë një lloj mbrojtje”, përfundoi Alimehmeti.