Situata me naftën, Bozdo: Rama bën show, qytetarët paguajnë çmimin më të lartë në rajon
Deputeti i PD-së, Eno Bozdo kritikoi ashpër takimin e kryeministrit Edi Rama me furnizuesit e naftës, duke e cilësuar si një “shfaqje mediatike” që nuk adreson problemet reale të shqiptarëve. Për të Rama u përpoq të delegojë përgjegjësinë e rritjes së çmimit të karburantit tek grosistët, pa marrë asnjë masë për të ulur taksat e larta që rëndojnë konsumatorët. Ai thekson se çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në rajon, dy herë më i lartë se në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të taksave qeveritare dhe jo krizës ndërkombëtare.
Bozdo shtoi se takimi është i pazakontë krahasuar me praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, ku nuk është parë që kryeministrat të bisedojnë drejtpërdrejt me tregtarët për çështje çmimi. Ai thekson se qeveria takson naftën me 60%, ndërsa mesatarja e vendeve të BE-së është rreth 50%, dhe e vendeve të OECD rreth 45%, duke e bërë karburantin të shtrenjtë për qytetarët, që shpesh zgjedhin të furnizohen në Mal të Zi, Kosovë ose Maqedoni.
Nga ky takim, sipas Bozdo, dolën edhe të dhëna shqetësuese për sigurinë kombëtare: Shqipëria ka vetëm 30 ditë rezerva nafte, shumë më pak se 90 ditët e kërkuara nga Direktiva e BE-së, një standard që duhet të respektohet edhe për vendet anëtare. Ai kërkoi që qeveria të ngarkojë Autoritetin e Konkurrencës për të monitoruar tregun dhe siguruar transparencë, ndërkohë që Rama nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi direkte për rritjen e çmimit të karburantit.
KOHA JONË SONDAZH

