Situata me zjarret në vend, situatë kritike në fshatrat e Ulzës
Situata e zjarreve në veri të vendit vijon të mbetet alarmante, me flakët që kanë dalë jashtë kontrollit në disa zona të Matit dhe Dibrës. Zjarri që shpërtheu të dielën në masivin pyjor me dushqe dhe shkurre në fshatin Madhe, në Njësinë Administrative Ulëz të Bashkisë Mat, është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe bimësisë së thatë. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, Shërbimit Pyjor, strukturave të Mbrojtjes Civile dhe administratës vendore, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme.
Gjatë së hënës, zjarri është përhapur edhe drejt fshatrave Madhesh, Trodhën dhe Lundre, duke përfshirë në flakë edhe sipërfaqe me pishë të zezë. Situata është bërë veçanërisht shqetësuese pranë zonave të banuara. Një fermë me lopë është rrezikuar nga flakët, ndërsa disa prej kafshëve janë shpërndarë për shkak të tymit dhe ende nuk janë gjetur nga barinjtë. Flakët janë afruar edhe pranë banesave, duke rritur shqetësimin për banorët e zonës.
Në përpjekje për të vënë nën kontroll situatën është ndërhyrë edhe nga ajri, me një helikopter gjatë dy ditëve të fundit. Megjithatë, për shkak të përmasave të mëdha të vatrës dhe terrenit të vështirë, nuk është bërë i mundur izolimi i plotë i zjarrit. Në terren vijojnë të jenë të angazhuara dhjetëra forca në ndërhyrjet tokësore, por puna e tyre vështirësohet ndjeshëm nga terreni i thyer malor dhe mungesa e rrugëve automobilistike që pengon aksesin e mjeteve zjarrfikëse.
Ndërkohë, situatë shqetësuese raportohet edhe në zona të tjera të Dibrës. Zjarri në masivin pyjor të fshatit Sllatinë vijon të mbetet problematik, ndërsa vatra aktive janë raportuar edhe në Vajkaj, pranë Bulqizës, dhe në Qafë Helmes. Në Ballenjë të Martaneshit, ndërhyrja ka rezultuar e suksesshme dhe zjarri është shuar, i favorizuar edhe nga reshjet e shiut që kanë rënë në zonë. Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren, ndërsa kushtet e motit, era dhe terreni i vështirë mbeten faktorët kryesorë që favorizojnë përhapjen e flakëve.
KOHA JONË SONDAZH

