Situata problematike pas reshjeve, çahet rruga në aksin Kukës-Krumë
Me ndalimin e reshjeve të shiut, është përmirësuar ndjeshëm situata me përmbytjet në të gjitha qarqet e vendit. Sipërfaqja e zonave të përmbytura është ulur ndjeshëm, megjithëse vihen re problematika të vogla në disa akse rrugore për shkak të rrëshqitjes së dherave.
Qarku më i prekur vijon të jetë Shkodra, ku aktualisht, sipas raportimeve nga bashkia, sipërfaqja nën ujë është rreth 1903 ha. Rruga e Obotit prej ditësh vijon të jetë e bllokuar, ndërkohë që jashtë funksionit është dhe ujësjellësi Oblika 1. Në këto zona ka nisur shpërndarja e ndihmave dhe furnizimi me ujë i banorëve të izoluar.
Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat. Gjithashtu, vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit. Ka rritje të nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç.
Në qarkun e Kukësit, po ashtu janë ndërprerë reshjet. Pothuajse të gjitha akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme. Probleme ka në aksin Kukës-Krumë, ku firma kontraktore po vijon me pastrimin e inerteve dhe zhbllokimin e tombinove. Gjithashtu, ka shembje dhe në aksin rrugor, Dushaj-Lekbibaj.
Furnizimi me energji elektrike në përgjithësi është normal në të gjithë qarkun Kukës përveç njësisë administative Bushtricë, Grykë-Çajë, Ujmisht, Shishtavec, Topojan, Zapod të bashkisë Kukës dhe fshatrat Dragobi e Valbonës, njësia administrative Margegaj, bashkia Tropjë.
Në qarkun e Elbasanit ka pasur probleme vetëm në dy akse rrugore; në atë Elbasan-Qafë Thanë në Pishkash dhe aksin Elbasan-Gjinar në Derstile. Në këto dy akse kanë shkuar kompanitë kontraktore dhe po punojnë për pastrimin e karrexhatës.
Lumenjtë ditën e sotme kanë pasur prurje më të vogël se ditën e djeshme, pra nën nivelin mesatar, por gjithsesi janë nën monitorim.