Skandali Interpol Tirana, zyrtarët e arrestuar nesër në Gjykatë

Shefi i Interpol Tiranës, Artan Bajraktari dhe shefja e sektorit Loreta Alla pritet të dalin të mërkurën përpara gjykatës për tu njohur me vlerësimin e masës së arrestit.

Arrestimi i tyre është bërë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat rreth orës 23:45 të 30 marsit 2015 pasi akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Urdhërndalimi është firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Kërkesa e Prokurorisë për shefin e Interpolit është dorëzuar pasditen e së martës në gjykatën e Tiranës brenda orarit zyrtare.

Kërkesa drejtuar gjykatës do të jetë ajo e masës me detyrim paraqitje për Bajraktarin, ndërsa avokati i tij do të kërkojë lirimin e menjëhershëm.

Sipas Ardian Vishës, në këtë rast nuk jemi përpara një vepre penale.

Prokuroria thotë ai që prej viti 2010 ka patur akses që të njihet nëpërmjet sistemit me çdo informacion që i përcillet autoriteteve policore nga zyrat e Interpolit.

Zyrtarisht policia deklaroi se shefi i Interpolit u arrestua “për shpërdorim detyre”, por më pas u sqarua se arrestimet lidhen me çështjen e Mark Frrokut dhe dosjes së mbërritur nga Belgjika.

Dosja kishte mbërritur në zyrën e Interpol Tirana në janar të 2015, pa i kaluar Ministrisë së Drejtësisë.

Dyshimet janë se si Bajraktari në detyrën aktuale të kreut të Interpol dhe Alla më herët në drejtim të Interpolit, nuk kanë përcjellur në kohë informacionet dhe dokumentet për arrestimin dhe ekstradimin e deputetit Mark Frroku, i akuzuar për vrasje në bashkëpunim më 1999 në Belgjikë.

Sipas këtyre informacioneve, si Bajraktari në vitin 2013 dhe Alla në vitin 2012 dyshohet se nuk kanë përcjellur në kohë informacionin e kërkuar nga Ministria e Drejtësisë për çështjen Frroku.

Belgjika ka kërkuar zyrtarisht prangosjen e deputetit të grupit socialist, por i zgjedhur në Pukë nën siglën e PKD duke e akuzuar për vrasje dhe trafik prostitucioni.

Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se në adresë të Mark Frrokut tashmë i ndodhur në arrest shtëpie për dëshmi të rreme, autoritetet e Brukselit kanë firmosur nëpërmjet Interpolit kërkesën për të zbatuar arrestin ndërkombëtar firmosur prej disa kohësh për të.

Mësohet se emri i shefi të Interpolit ishte propozuar si kandidat për drejtues të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në vend të Artan Didit.

SHKARKO APP