Skandali me qumështin pluhur, po e hamë për “bio”. Si mashtrohen qytetarët me etiketat
Paketa fiskale e propozuar nga qeveria zbuloi një të vërtetë të madhe në lidhje me industrinë e qumështit në Shqipëri. Kosi apo qumështi që iu serviret qytetarëve si “Bio” në fakt ka përbërje të larta të qumështit pluhur. Përbërja varion në përqindje nga produkti në produkt dhe nga kompania në kompani. E gjithë kjo ndodh ndërkohë që të gjitha kompanitë shënojnë në paketimin e produkteve të tyre se përmbajtja është 100% qumësht lope duke fshehur kështu në shkelje të ligjit qumështin pluhur.
Si u vetëzbuluan kompanitë e qumështit?
Në ndryshimet fiskale të propozuara nga Ministria e Financave, ishte parashikuar që të aplikohej një taksë 100 lekë për litër për qumështin pluhur që futej në vendin tonë. Sipas asaj që deklaroi Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, në Komisionin e Ekonomisë, çdo vit në Shqipëri futen 1 mijë ton qumësht pluhur dhe kjo taksë do të gjeneronte 100 milionë lekë të arshura në arkën e shtetit.
Pikërisht këtu nisi edhe shqetësimi i kompanive të prodhimit të qumështit, të cilat tashmë të kapur “mat” nga një propozim i Ministrisë së Financave nisën lobimin e fortë duke mundësuar heqjen e kësaj takse nga ndryshimet e propozuara në ligjin “Për Taksat Kombëtare” me argumentin se kjo do të rriste koston e prodhimit dhe gjithçka do të pasqyrohej tek çmimi final për konsumatorin.
Megjithatë, prodhuesit e qumështit nuk kanë shpjeguar ende se si e rrit koston taksa mbi qumështin pluhur nëse ata përdorin siç thonë qumësht lope?
Etiketa
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, prodhuesit e qumështit pranuan nën zë se përdornin vetëm 2% qumësht pluhur te qumështi, kosi apo djathi që në fakt u shiten konsumatorëve si produkte 100% natyrale. Në raste të tilla, ligji i detyron prodhuesit që të shënojnë në etiketë të gjithë përbërjen duke shtuar aty edhe shënimin se “X” apo “Y” produkt ka në përbërjen e tij edhe 2% qumësht pluhur. Në fakt, ata nuk e bëjnë këtë duke shkelur ligjin.
Por, krahas kësaj, ata nuk arrijnë të shpjegojnë se si mundet që të rrisë koston totale të prodhimit një taksë 100 lekë/ litër për një përmbajtje që përbën vetëm 2% të produktit?!
Lobimi
Ndryshimet ligjore u propozuan nga Ministria e Financave në tetor, ku edhe ministrja Ibrahimaj i mbrojti në Komisionin e Ekonomisë. Kur ajo foli për këtë ndryshim, deputetët, si duket në dijeni të “pikes së dobët” të kompanive të prodhimit të qumështit, pyetën nëse ministria ishte konsultuar apo jo me grupet e interesit për këtë taksë.
Kjo ishte indicia e parë se taksa ndaj qumështit pluhur do të haste në kundërshtime të forta.
Dhe ashtu ndodhi. Në fillim të këtij muaji, Komisioni i Ekonomisë ka patur një tjetër mbledhje me grupet e interesit, kësaj radhe e patransmetuar në Facebook, ku është folur në lidhje me taksën në fjalë.
Ndërhyrja e fortë e tyre dhe mbëshetja që gjetën në Komision, detyroi Ministrinë e Financave që të heqë dorë nga kjo taksë, e cila më shumë se sa të ardhurat në arkën e shtetit, do të shërbente për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve që konsumojnë qumësht; djathtë apo kos të bërë me qumësht pluhur.
Si përfundim, nga e gjithë kjo mësuam se shqiptarët konsumojnë në vit 1 mijë ton qumësht pluhur. Nëse do të përpjestonim këtë me numrin e popullsisë rezidente, atëhere përllogaritet që secili prej nesh, të rritur, fëmijë apo të moshuar, hamë përmes etiketave të falsifikuara në rastin më të mirë mesatarisht 500-700 gramë qumësht pluhur në vit. /ABC