Skandali në spitalin e Vlorës ku ndërroi jetë i riu, dyert e urgjencës bllokohen
Arbër Ferati nga Tragjasi i Vlorës, të hënën ra në kontakt me kabujt e tensionit të lartë rrëzuar përtokë, kohën kur po korrte grurin me autokombanjë. Familjarët luftojnë me kohën për të nxjerrë nga makina e urgjencës së Orikumit, të dëmtuarin me shenjat e fundit të jetës.
Dera është bllokuar. U desh forca fizike e shumë njerëzve që ajo të zhbllokohej dhe Ferati të futej në duart e mjekëve. Por nuk përfundon e gjitha këtu. Në hollin e spitalit të Vlorës, nis sherri mes policisë dhe të afërmëve të zëmëruar.
Dikush nga ta del garant, se do t’i përgjigjen policisë, por sa të merrnin informacion se çfarë ndodhi me të riun. Afro 30 minuta nga konflikti mbërrin lajmi i vdekjes së Arbër Feratit. Dhimbja dhe përplasja zhvendoset në morgun e spitalit. Familjarët, gruaja, kushërinjtë, folën për prezencën e dhjetra forcave policie.
Nisi përplasja mes tyre dhe disa persona u lënduan, mes tyre edhe një punonjës policie. Një nga të afërmit e viktimës u ndalua për kundërshtim të uniformave blu.