Skandali te Onkologjiku, GJKKO nuk ndryshon masat e sigurisë për 7 të akuzuarit

Gjatë seancës së rivlerësimit të masës së sigurisë për 7 të akuzuarit për skandalin e Onkologjikut, këta të fundit kanë kërkuar shuarje të masave të sigurisë.

Gjykata e Posaçme në fund të seancës vendosi të mos ndryshojë masat që Gjykata e Tiranës caktoi për ta tre javë më parë. Me këtë vendim, Edmond Gashi dhe Florian Marku do të vijojnë të qëndrojnë në “arrest në shtëpi”, ndërsa për Alketa Pere, zv.drejtoreshën e QSUT Brikena Qirjazi, koordinatorin Emiljano Lela, administratorin e klinikës private Halil Gashi dhe ish-specialisten e QSUT Drilona Kishta mbetet në fuqi masa “detyrim paraqitje”.

Jashtë gjykatës mjeku Gashi tha se nuk kishte asnjë koment, ndërsa mjekja Alketa Pere shtyu mikrofonat e gazetarëve. Sipas hetimit të deritanishëm, të dyshuarit kishin ngritur një skemë abuzive të zvarritjes së trajtimit të të sëmurëve me kancer në Spitalin Onklologjik, me qëllim dërgimin e tyre në një klinikë private.

I njëjti hetim, zbuloi mosvënien në punë të pajisjes së kobalto-terapisë tek Onkologjiku, e instaluar prej vitit 2021, si edhe lënien e saj në një ambient të papërshtatshëm, duke u bërë burim i rrezikshëm radioaktivitetit për stafin mjekësor dhe pacientët. Po ashtu, nga hetimi u dokumentua kontrabandimin e ilaçeve të kancerit të spitalit dhe tregtimit e tyre në dy farmaci private.

SHKARKO APP