Skandalit i rimbursimit të barnave, dëmi ndaj shtetit 270 milionë lekë

 

Vetëm për rimbursimin e dy ilaçeve, insulinë dhe ketosteril, të paktën 4 farmaci dhe një distributor, “Omega Farma”, dyshohen se i kanë shkaktuar shtetit në dy vite një dëm ekonomik prej 270 milionë lekësh. Gjatë masës së sigurisë kundër 13 të arrestuarve si të implikuar në skandalin e rimbursimit të ilaçeve, Prokuroria e Tiranës iu referua raporteve të ekspertëve kontabël, por edhe dhjetëra faturave fiktive, në të cilat deklarohej blerja e një sasie ilaçesh, e më pas përpilimi i faturave të tjera, që paraqisnin shitjen e një numri më të madh sesa ishin shitur te blerës të panjohur. Farmacitë, nga ana e tyre, sipas Prokurorisë kanë përfituar me këto fatura nga Fondi i Rimbursimit. Gjatë paradites, gjykata zhvilloi masat e sigurisë për 5 prej të arrestuarve, mes tyre edhe administratori i “Omega Farmës”, Nadir Çausholli, i cili u la në “arrest me burg”. Administratori i tha gjykatës se ai përfaqëson një kompani serioze dhe se kompania e tij nuk është e përfshirë në informalitet. “Unë nuk përbëj rrezik shoqëror – shtoi Çausholli, – dhe arrestimi im është shoë mediatik. Për këtë arsye kërkoj një masë më të butë nga gjykata”. Megjithatë, kërkesa e tij nuk u mor parasysh nga gjykata, ndërsa u la në burg edhe Tasim Toçi, specialist i IT-së pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ndërkohë, farmacisti Erind Hajdari u la nën masën “arrest shtëpie”, me detyrimin që t’i vendoset byzylyk elektronik. Kurse Vangjelita Qerrushi, farmaciste, dhe Mariela Përnoci, drejtuese teknike pranë një farmacie, sipas kërkesës së vetë prokurores së çështjes u lanë nën masën “detyrim paraqitjeje”. Aktualisht po vijojnë masat për të ndaluarit e tjerë, ndërkohë që vijojnë të jenë në kërkim edhe 5 të dyshuar të tjerë. 

SHKARKO APP