Skema e rindërtimit nga tërmeti, Ristani: Shtohen edhe 375 përfitues të fundit që nuk aplikuan në kohë
Bashkia e Tiranës ka miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak një projektvendim të rëndësishëm që zgjeron programin e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, duke përfshirë edhe 375 individë dhe familje që nuk kishin mundur të aplikonin në kohë në platformën online “Shtëpia Ime”.
Ky vendim synon të garantojë trajtim të barabartë për të gjitha familjet e prekura, duke u dhënë mundësinë të përfitojnë nga programi i rindërtimit përmes mekanizmave të Bashkisë së Tiranës dhe duke mbrojtur të drejtën e tyre për strehim.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, u shpreh se ky është një vendim që i jep fund një problematike të mbartur prej vitesh.
“Ky projektvendim është shumë i rëndësishëm për të gjitha familjet që kanë mbetur jashtë skemës dhe për të cilat kemi pasur diskutime e komunikime institucionale gjatë gjithë kësaj kohe. Më në fund po u japim një zgjidhje. Njësitë administrative kanë bërë një punë të detajuar identifikimi dhe deri më tani janë evidentuar 375 individë dhe familje. Ky numër mund të ndryshojë në varësi të akteve që janë në proces, vendimeve gjyqësore apo vendimeve të Institutit të Ndërtimit, por të gjithë do të trajtohen me të njëjtat kushte si familjet që kanë aplikuar në sistem,” deklaroi Ristani.
Sipas verifikimeve të kryera nga njësitë administrative, përfituesit janë të shpërndarë si më poshtë:
* Njësia Administrative nr. 2 – 4 familje;
* Njësia Administrative nr. 3 – 4 familje;
* Njësia Administrative nr. 4 – 53 familje;
* Njësia Administrative nr. 5 – 14 familje;
* Njësia Administrative nr. 6 – 77 familje;
* Njësia Administrative nr. 8 – 140 familje;
* Njësia Administrative nr. 9 – 24 familje;
* Njësia Administrative nr. 11 – 25 familje;
* Njësia Administrative Kashar – 2 familje;
* Njësia Administrative Dajt – 4 familje;
* Njësia Administrative Krrabë – 28 familje.
Me këtë vendim, Bashkia e Tiranës synon të sigurojë që asnjë familje e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 të mos mbetet jashtë programit të rindërtimit për shkak të pamundësisë për të aplikuar në afatet e mëparshme, duke garantuar trajtim të drejtë dhe mbështetje për çdo rast të verifikuar.
KOHA JONË SONDAZH

