Skemë mashtrimi me barnat, arrestohet pronari i depos farmaceutike, farmacistë e zyrtarë të FSDKSH

 

Zbulohet një tjetër skemë përfitimi abuziv dhe evazioni fiskal përmes rimbursimit të barnave.

Policia e Tiranës ka shoqëruar mbrëmjen e sotme  disa persona, përfshirë pronarin e një depoje farmaceutike, drejtues të kësaj depoje, disa farmacistë dhe zyrtarë të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Rajonal Tiranë, të dyshuar se janë përfshirë në një skemë mashtrimi të madhe me rimbursimin e ilaçeve.

Ndalimi i tyrë është bërë me urdhër të prokurorisë Tiranë. Nga hetimi i organit të akuzës rezulton se në krye të kësaj skeme, të evidentuar së fundmi, qëndron shtetasi Nadir Çausholli, administrator i depos farmaceutike “Omega Pharma”.

Sipas organit të akuzës, depoja “Omega Pharma Group” ka krijuar fatura tatimore fiktive.

Ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitje fiktive pa pasur blerje.

Më pas, farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar Fondit rimbursim për këto receta.

Hetimi me objekt rimbursimin e barnave në katër farmaci

Prokuroria saron se “objekti i hetimit fillimisht ka pasur të bëjë me rimbursimin e çmimeve të medikamenteve mjekësore, përsa i përket recetave të ekzekutuara pranë katër subjekteve farmaceutike, të cilët janë Farmacia Lunder, Nutrimed 2012, Berxhite, dhe Adelina.

Përveç farmacive të sipërcituara, objekti i hetimit të këtij procedimi është zgjeruar edhe tek aktiviteti i disa farmacive të tjera, të cilat rezultojnë të kenë përfituar vlera të larta rimbursimi përsa i përket medikamenteve mjekësore, çmimet e të cilave rimbursohen nga shteti.

Referuar legjislacionit në fuqi, farmacitë rimbursohen vetëm për medikamentet mjekësore, të cilat janë tregtuar nga importuesi/shpërndarësi farmaceutike që ka kontratë me Fondin. Farmacitë, si edhe depot importuese dhe ato shpërndarëse, kanë pasur detyrimin të deklarojnë çdo muaj hyrjet dhe depon, nga e cila kanë blerë medikamentet e bëra hyrje”.

Farmacitë ekzekutuan receta fiktive

Nga hetimi i prokurorisë ka rezultuar se disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive. Nga kqyrja e hyrjeve të këtyre farmacive vihet re se një pjesë e madhe e furnizimeve ose të gjitha furnizimet janë bërë nga depoja “Omega Pharma Group”.

Gjithashtu, nga hetimi mbi këtë procedim ka rezultuar se medikamenti mjekësor ketosteril është një medikament për të cilin të drejtën e importit e ka depoja farmaceutike „R… F“. Ky medikament jepet për diagnozën “insuficencë kronike renale“. Nga kqyrja e të dhënave të deklaruara nga disa farmaci që operojnë në tregun e Tiranës, vihet re se këto farmaci kanë deklaruar fletë-hyrje të barit Ketosteril me furnitor „Omega Farma Group“ për periudhën qershor 2013–maj 2015. Gjatë kësaj periudhe rezulton e provuar se „R… F…“ nuk ka bërë shitje të ketosterilit tek „Omega Pharma Group“ dhe se ky sybjekt nuk ka pasur blerje të këtij produkti.

Nga kqyrja e faturave tatimore të sekuestruara pranë “Omega Pharma Group” vihet re se në këto fatura janë identifikuar disa fatura “kesh” me shitje minus. Në këto fatura bëhet fjalë për medikamente të ndryshme, duke përmendur këtu edhe medikamentet ketosteril dhe insulina.

Emri i subjektit nga i cili është marrë malli nuk është i identifikuar. Përsa më sipër, ekziston dyshimi se depoja “Omega Pharma Group” ka krijuar fatura tatimore fiktive.

Ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitje fiktive pa pasur blerje. Më pas, farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar Fondit rimbursim për këto receta.

Personat nën akuzë

Nga studimi në tërësi i materialeve të administruara në këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyetuar në prova se personi nën hetim Nadir Çausholli ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave” në bashkëpunim dhe “Mashtrimit” në bashkëpunim.

Në vijim të hetimit, ka rezultuar se veprimtaria e dyshimtë e shtetasit Çausholli është mbështetur edhe nga shtetasit Fisnik Kollcaku (drejtues teknik i “Omega Pharma Group gjatë vitit 2014); Valbona Kraja(shefe e Financës pranë “Omega Pharma Group”); si edhe Arjola Pipera (punonjëse financiere pranë “Omega Pharma Group”)

Po ashtu, nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive të marra nga “Omega Pharma” dhe më pas i kanë paraqitur këto receta pranë Fondit të Kujdesit Shëndetësor, me qëllim rimbursimi. P

ër këto veprime të kundërligjshme, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhëra ndalimi edhe për shtetasit:

– Ela Malaj (drejtuese teknike e farmacisë “Alice”);

– Mariela Përnoci, Arbi Teqja dhe Arbër Thereska (përkatësisht administror dhe drejtues teknikë të farmacisë “Express”);

– Erind Hajdari (drejtuese teknike e farmacisë “Farmacia nr.6 ”);)

– Ornela Plepi (Administrator dhe drejtuese teknike e farmacisë “Katroshi”)

Nga hetimi ka rezultuar se farmacitë, janë ekzekutuar receta fiktive, të cilat më pas i kanë dorëzuar prane Fondit me qëllim rimbursimi.

Këto receta fiktive kanë dalë prej magazines së Drejtorisë Rajonale të Fondit.

Shtetasja Violeta Bejko, në cilësinë e magazinieres së këtij institucioni, nuk ka administruar në mënyrën e duhur lëvizjen e materialeve të bëra hyrje në magazinë. Ajo nuk ka bërë shpërndarjen e recetave në përputhje me procedurën e rregullt ligjore.

Po ashtu, ka rezultuar se për çdo muaj, në Fondin Rajonal bëhet akt-rakordimi i recetave. Shtetasja E. P.ka pasur detyren e shefes së Sektorit të Informatikës-Statistikës.Kjo shtetase ka deklaruar se dosjet e këtyre farmacive, ajo nuk i ka firmosur.

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Tasim Toci ka nënshkruar për “Sektorin e Inf.Statistikës” pa pasur asnjë tagër për të kryer këtë veprim.

SHKARKO APP