Skenari i vrasjes së Tom Doshit, Adriatik Llalla: Hetimi ka marrë drejtim tjetër

 

Kryeprokurori Adriatik Lalla deklaron se skenari për vrasje të deputetit Doshi ishte thjesht një inskenim i deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku për qëllime që pritet të dalin gjatë gjykimit.

Ndërsa hedh poshtë të ketë lidhje transfermimi i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda me këtë çështje.

Sipas Llallës dy çështjet i lidh veç koha, ndërsa shtoi se lëvizja e Eugen Becit ishte parashikuar të kryhej pak kohë më parë, por u shty për shkak se ai drejtoi operacionin “Xibraka”

Deklarata u bë në një Intervistë për DW.

Llalla: “Çështja “Doshi” dhe lëvizja e drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda janë çështje të ndryshme, të cilat i bashkon vetëm koha kur kanë ndodhur. Për rastin e denoncimit të deputetit Tom Doshi, sipas të cilit ishin paguar disa persona për ta eleminuar fizikisht, tashmë ai hetim ka marrë një drejtim tjetër. Deputeti Doshi, si edhe një tjetër deputet, Mark Frroku, tashmë po merren të pandehur pasi nga hetimi rezultoi se skenari për vrasje të deputetit Doshi ishte thjesht një inskenim i këtyre dy ligjvënësve për qëllime që pritet të dalin gjatë gjykimit.

Në kohën që nisi hetimi për çështjen “Doshi” u realizua edhe lëvizja e drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda, një lëvizje e cila ishte parashikuar të kryhej pak kohë më parë, më saktë, në janar 2015. Por, pikërisht për faktin se ishte në vijim operacioni “Xibraka” që diskutuam edhe më lart, i cili u finalizua në janar 2015, u shty në kohë lëvizja e drejtuesit të kësaj strukture, pasi ai ishte duke udhëhequr atë hetim shumë të rëndësishëm.

Që në krye të mandatit tim si Prokuror i Përgjithshëm, e kam shprehur se drejtuesit e prokurorive nuk mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë në të njëjtin vend pune, pasi puna e drejtuesit kërkon ritëm të lartë. Në këtë kuadër, brenda edhe hapësirës që lejon ligji, lëvizjet në nivelin drejtues kanë për qëllim rritjen e ritmit të punës.”

Dekriminalizimi

Duke folur mbi proçesin e dekriminalizimit, Llalla thotë se kjo është një nismë shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë kanë nevojë që të zgjedhin dhe të udhëhiqen nga persona me cilësi të larta etike dhe morale.

Llalla: “Debati dhe sfida për dekriminalizimin sapo ka nisur dhe kërkon kohën e saj për të arritur rezultate të prekshme. Nuk mund të aludojmë se sa kohë kërkon ky proces, por është shumë e rëndësishme që diskutimi për këtë temë ka përfshirë nivelet më të larta shtetërore. Prokuroria aktualisht ka nën hetim një deputet, i cili gjendet nën masën e “arrestit me burg” pasi akuzohet nga autoritetet belge për një vrasje të ndodhur në vitin 1999. Po ashtu, një tjetër deputet me rekorde kriminale, është në gjykim për goditjen për shkak të detyrës ndaj një deputeti tjetër. Pra, diskutimi mbi dekriminalizimin ka nisur të prodhojë efekte në nivele të larta, por edhe në nivele më të ulta, të cilat jo gjithnjë janë në vëmendjen e opinionit publik”.

 

SHKARKO APP