Skënder Gjinushi: Këto akuza nuk m’i ka bërë as Berisha
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi deklaron se në zgjedhjet vendore të 21 qershorit partia e tij do të kërkojë mbështetjen e të majtëve të zhgënjyer nga qeverisja e Ramës, edhe pse shton se në zona të caktuara do mbështesë kandidatët e PS-së.
Gjithashtu, Gjinushi pohon se ish-deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, e mbështet moralisht dhe politikisht PSD-në në këto zgjedhje.
"Ai e ka shprehur vetë publikisht, që ka një interes për t’u kthyer në politikë.
Po si Dritan Prifti ka shumë ish-deputetë të majtë, nga PS apo nga LSI, që hë për hë duan që një alternativë tjetër të forcohet, pra është ajo pjesa që e sheh veten të margjinalizuar e që fillon që nga socialistët e thekur e deri te persona që kanë kontribuar në strukturat e së majtës deri në nivelet e larta.
Dhe, në këtë kontekst, ai ka shfaqur dëshirën për të bashkëpunuar edhe me PSD-në.
Këto janë zgjedhje lokale.
Dhe në tërësi persona të tillë nuk kandidojnë vetë, sepse dilet me kryetarë bashkish.
Kështu që, kontributi është moralo-politik”, shprehet Gjinushi për GSH.
Ndërkohë që i kthen edhe një përgjigje Servet Pëllumbit, i cili thotë në librin e fundit se PSD-ja u krijua në zyrat e Komitetit Qendror të Partisë së Punës.
Sipas Gjinushit, Pëllumbi gabon rëndë sepse këto akuza ndaj tij nuk i ka bërë as Berisha.