Skënderbeu “rikthehet” pas 581 vitesh në Lezhë, në Besëlidhjen e Kryezotërve të Arbërit

Albert Vataj

Lezha, sot në 581-vjetorin e besëlidhjes së kryezotërve të Arbërit, pret kthimin e Skënderbeu në Kuvendin e Madh. Pas afro gjashtë shekujve, madhështia e këtij kolosi të historisë së shqiptarëve, vjen përmes artit, përjetësimit në një shtatore që tregon, nderim, respekt dhe mirënjohje për aktin e tij të bashkimit të shqiptarëve në besë për t’i bërë badhë hordhisë osmane, një prej mizorive më të përbindshme të kohës.

Lezha, qyteti historik ku Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kaloi momentet e fundit të jetës dhe u përcoll me nderim në amshim, më në fund ka vendosur shtatoren e tij, pas një pritjeje të gjatë dhe të pamerituar.
Një nderim i veçantë i shkon skulptorit të talentuar Ardian Pepa, i cili realizoi me mjeshtëri këtë vepër monumentale, duke e skalitur me dinjitet figurën e Heroit Tonë Kombëtar. Po ashtu, mirënjohje e veçantë i takon historianit dhe studiuesit të përkushtuar Paulin Z. Zefi, Përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, i cili ka qenë një nga zërat më të fortë në mbrojtje të vlerave historike dhe kulturore të qytetit. Ai ka luftuar me këmbëngulje për vendosjen e shtatores së Skënderbeut, e cila për më shumë se gjashtë vite qëndroi padrejtësisht në bodrumet e Bashkisë së Lezhës, si pasojë e një indiference të pajustifikueshme nga institucionet shtetërore.
Në shumë vende të botës, statuja të Gjergj Kastriotit janë ngritur me krenari si simbole të heroizmit dhe frymëzimit kombëtar, ndërkohë që Lezha, vendi ku ai mbylli sytë për herë të fundit, përjetoi për vite me radhë një paradoks të dhimbshëm: mungesën e një përfaqësimi të denjë të figurës së tij në hapësirën publike.
Vendosja e kësaj shtatoreje është një akt drejtësie historike dhe një fitore ndaj harresës e burokracisë, duke e kthyer heroin tonë në piedestalin e duhur, aty ku historia dhe nderimi i përjetshëm e kërkojnë.
Ky moment duhet të shërbejë si një reflektim për institucionet dhe për shoqërinë në tërësi, që të mos lejojnë më që vlerat dhe figurat kombëtare të trajtohen me neglizhencë, por të promovohen me dinjitet dhe përkushtim, ashtu siç u ka hije heronjve që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar.

SHKARKO APP