Smart City në shkolla, ministri Lamallari: Përfundon instalimi i kamerave inteligjente në gjimnazin ”Qemal Stafa”
Nxënësit e gjimnazit ”Qemal Stafa” në Tiranë do ta nisin vitin e ri shkollor në një mjedis me masa të shtuara. Në shkollë ka përfunduar instalimi i kamerave dhe pajisjeve inteligjente në kuadër të projektit Smart City, me synim identifikimin e rasteve të paligjshmërisë dhe forcimin e kontrollit në ambientet e institucionit arsimor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se “Qemal Stafa” është ndër institucionet e para arsimore ku po zbatohet ky program, i cili ndërthur teknologjinë e avancuar me inteligjencën artificiale. Sipas ministrit, sistemi i ri do të shërbejë si një shtesë e rëndësishme e masave ekzistuese të sigurisë, duke punuar paralelisht me oficerët e sigurisë. Në gjimnaz janë të angazhuar dy oficerë.
Lamallari tha se teknologjia synon të rrisë sigurinë e nxënësve dhe mësuesve, ndërsa prindërve t’u ofrojë më shumë qetësi dhe besim për ambientin ku fëmijët e tyre kalojnë pjesën më të madhe të ditës. Edhe drejtuesja e gjimnazit e vlerësoi ndërhyrjen, duke theksuar se një proces cilësor arsimor kërkon edhe ambiente të sigurta dhe të përshtatshme për nxënësit.
Me nisjen e vitit të ri shkollor, “Qemal Stafa” bëhet kështu një nga shkollat ku siguria fizike kombinohet me teknologjitë inteligjente, në përpjekje për krijimin e një mjedisi më të mbrojtur për nxënësit, mësuesit dhe stafin e shkollës.
KOHA JONË SONDAZH

