Shefi i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Albert Nushi ka reaguar lidhur me disa pretendime të shpërndara ditët e fundit në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe me synim dëmtimin e imazhit të institucionit. Nushi u ndal te pamjet e publikuara nga Rinasi, për të cilat është pretenduar se shtetas të huaj po silleshin në Shqipëri për t’u burgosur. Sipas tij këto pretendime nuk qëndrojnë.
“Bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm”, sqaroi Nushi, duke hedhur poshtë pretendimet e shpërndara në internet. Një tjetër çështje e trajtuar në deklaratë ishte ajo e mesazheve intimiduese që u janë dërguar disa mësuesve dhe pedagogëve, në emër të Policisë së Shtetit.
Në këto mesazhe pretendohej se personat në fjalë ishin filmuar gjatë pjesëmarrjes në një tubim dhe se do të kontaktoheshin për t’u komunikuar akuza. Nushi nënvizoi se mesazhet nuk kanë ardhur nga strukturat e policisë, por nga persona ende të paidentifikuar. “Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia”, deklaroi ai.
Duke iu drejtuar mësuesve dhe pedagogëve, përfaqësuesi i Policisë së Shtetit nënvizoi se pjesëmarrja në tubime paqësore është një e drejtë kushtetuese, të cilën institucioni ka detyrim ligjor ta respektojë dhe ta garantojë. “Çdo pretendim i kundërt është i pavërtetë dhe dashakeq”, u shpreh Nushi.
Në përfundim, Nushi hodhi poshtë gjithashtu pretendimet për urdhra të paligjshëm gjatë tubimeve, duke deklaruar se “asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimit”. Deklarata vjen në një kohë kur në rrjetet sociale janë shpërndarë pretendime të ndryshme lidhur me veprimtarinë e Policisë së Shtetit dhe menaxhimin e tubimeve publike.
