Socialistë e demokratë, me dy nisma në Kuvend mbi dosjet e Sigurimit të Shtetit
Në Tiranë, dy grupet më të mëdha parlamentare i kërkuan sot Kuvendit ndryshime në ligjet, që kanë të bëjnë me sekretin shtetëror dhe me dokumentet e Sigurimit të Shtetit.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi de-klasifikimin si sekrete shtetërore të gjithë dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nga viti 1944 deri në 1991.
Ndërsa socialistët kërkuan që Autoriteti për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit të ketë lirinë e verifikimit të pastërtisë së zyrtarëve dhe kanddiatëve për deputetë dhe kryebashkiakë, sa herë që ka zgjedhje, edhe nëse ata kanë marrë më herët çertifikata të pastërtisë së figurës.
Amendamentet e socialistëve në Kodin Zgjedhor kërkojnë verifikimin e kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë në çdo palë zgjedhje parlamentare dhe vendore.
Por ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhen miratuar me shumicë të cilësuar prej 85 votash, çka do të kërkojë mirëkuptim mes grupimeve politike.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dorëzoi sot në Kuvend një projektligj për deklasifikimin e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944–1991.
Deputeti Kreshnik Çollaku tha për shtypin se tashmë kanë kaluar 31 vite nga rënia e regjimit komunist dhe qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën e diktaturës më të egër dhe më çnjerëzore në historinë e Shqipërisë dhe të Europës.
Ai theksoi se pa ndriçimin e veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit nuk mund të arrihet zbardhja e plotë e së vërtetës mbi regjimin komunist, sepse Sigurimi ishte struktura kryesore e atij shteti diktatorial.
“Në ato dokumente gjenden të dhëna dhe foto për fatin e mijëra shqiptarëve të pushkaktuar, të gjymtuar, të torturuar, të dënuar dhe internuar në burgjet dhe kampet e regjimit komunist. Zbardhja e atyre dokumenteve do t’iu shërbejë këtyre personave, por edhe familjeve të tyre për të mësuar të vërtetën e dhimbshme të asaj që ishte jeta e tyre për 45 vite. Në këtë kuptim, ky projektligj realizon një të drejtë thelbësore për këta individë, që është e drejta për të mësuar të vërtetën e jetës dhe familjes së tyre deri në fund” – thotë zoti Çollaku.
Historia 31-vjeçare postkomuniste, shtoi zoti Çollaku, provuar se shqiptarët nuk janë hakmarrës, nuk kërkojnë shpagim, nuk urrejnë, por kërkojnë të dinë të vërtetën e plotë të jetës së tye nën diktaturën komuniste.
Në të njëjtën kohë me nismën e opozitës, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste depozitoi sot pranë Kuvendit dy nisma ligjore për ndryshime të Ligjit “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit , si dhe në “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
Nismat e Partisë Socialiste bazohen në propozimet e Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) drejtuar Kryetares së Kuvendit lidhur me pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar.
“Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një çertifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre. Zbardhja e të vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës por padyshim në funksion të së tashmes për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike” – thotë deputetja socialiste, Klotilda Bushka.
Ajo shtoi se në letrën e Autoritetit të Dosjeve drejtuar Kuvendit, përmenden figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Çertifikatën e pastërtisë së figures, por në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, ndaj duhen hequr pengesat dhe boshllëqet ligjore për një transparencë të plotë.
Lidhur me këtë temë reagoi përsëri sot ish presidenti Ilir Meta, i cili hodhi poshtë komentet që vazhdojnë prej disa ditës prej disa ditësh nëse ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, duke theksuar se Autoriteti i dosjeve do të mbajë përgjegjësi ligjore për falsfikimet dhe shkeljet e rënda që bëri me shkresat e fundit, ku u aludua për emrin e tij.
“Ndërsa deputetët tanë do të kërkojnë transparencë të plotë për bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Partia e Lirisë është në krye të betejës për të shembur këtë system të kalbur të shantazhit, që bëhet jo në emër të kujdesit për të kaluarën dhe viktimat e tij, por bëhet me metodat më të shëmtuara dhe banale të sih-Sigurimit të Shtetit për të spostuar vëmendjen nga grabitjet e llahtarshme që po i bëhen popullit shqiptar” – thotë zoti Meta.
Gjatë viteve të diktaturës komuniste sigurimi famëkeq i shtetit vrau, rrëmbeu, dhe torturoi mijëra persona për motive politike si kundërshtarë të regjimit, por pjesa më e madhe e kësaj veprimtarie nuk është ndricuar asnjëherë.
Përveç zyrtarëve drejtues të Sigurimit dhe krimeve të tyre, në hije kanë mbetur edhe mijëra bashkëpunëtorë të këtij shërbimi dhune e terrori, dhe gjatë 3 dekadave në demokraci, ekspertët vlerësojnë se kanë dështuar pjesa më e madhe e nismave për të hapur dosjet e tyre dhe për të penguar karrierën e tyre në institucionet demokratike./VOA/