Sokol Paja: “Thinking of You” , thirrje për dinjitet dhe drejtësi

Sokol Paja

New York, 8 mars 2026 – “Thinking of You” instalacioni i artit publik i njohur ndërkombëtarisht dedikuar të mbijetuarave të dhunës seksuale, nga artistja konceptuale Alketa Xhafa Mripa u prezantua në New York në Dag Hammarskjöld Plaza hyrja publike drejt selisë së Kombeve të Bashkuara gjatë sesionit të 70-të të Komisionit të OKB-së për Statusin e Grave. Me pjesëmarrjen e veprimtarëve të çështjes kombëtare, aktivistëve, atdhetarëve, mediave shqiptare e dhjetëra shoqatave shqiptare në New York e me gjërë, shpirtërisht takimi u shndërrua në një moment të thellë reflektimi e solidariteti me të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale. Rrëfimet rrëqethëse të të mbijetuarve të luftës, dhunës e abuzimit na ftojnë që të mos ndalojmë së kërkuari drejtësi për viktimat dhe ndëshkim për dhunuesit.

Artistja konceptuale Alketa Xhafa Mripa në fjalën e saj theksoi se vendosja e “Thinking of You” aty ku zërat e publikut takohen me pushtetin global, i vendos historitë e të mbijetuarve drejtpërdrejt në sferën e vendimmarrjes ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, ajo vazhdon traditën e gjatë të këtij sheshi si një vend i aktivizmit moral, dhe jo i vëzhgimit pasiv. Hapja e kësaj ekspozite në International Women’s Day ka një kuptim të thellë. Ndërsa kjo ditë feston arritjet e grave, ajo është gjithashtu një kujtesë se lufta për barazi, siguri dhe drejtësi vazhdon. Sipas artistes Alketa Xhafa Mripa për shumë gra në mbarë botën, kjo mbetet ende një ditë proteste, qëndrese dhe kërkese për t’u dëgjuar. Një veprim i thjeshtë—dhurimi i një fustani, varja e tij në telat e rrobave—një imazh i zakonshëm shtëpiak u shndërrua në një akt publik kujtese, rezistence dhe kujdesi. Të mbijetuarit dolën përpara. Shoqëria filloi ta pranojë të vërtetën e tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhe së bashku filluam një proces shërimi, u shpreh ajo. Më tej artistja Alketa Xhafa Mripa theksoi se secili prej këtyre fustaneve përfaqëson një qenie njerëzore me një histori si ajo e gruas së parë: një histori e dhimbjes së përjetuar, e dinjitetit të mbrojtur dhe e drejtësisë që shumë shpesh është vonuar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Unë e vendos Thinking of You në këtë hapësirë si një ofertë dhe si një kujtesë: se paqja nuk mund të ekzistojë pa njohjen e plotë të jetës dhe përvojës së të mbijetuarve, dhe se përgjegjësia fillon me pranimin, u shpreh ajo.

Ambasadori Blerim Reka në fjalën e tij theksoi se “më shumë se 20,000 gra dhe burra shqiptarë të Kosovës u përdhunuan nga ushtria dhe policia serbe, dhe askush nuk u ndëshkua. Prandaj “Thinking of You” është një kujtesë dhe një mendim për të gjitha këto viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku Serbia kreu gjenocid kundër shqiptarëve. Dhe askush nuk u soll para drejtësisë, dhe askush nuk u dënua! Drejtësia ndërkombëtare mbetet e heshtur, ndërsa këto viktima vazhdojnë të kërkojnë drejtësi. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar” theksoi Ambasador Reka.

Në këtë aktivitet solidariteti e ndërgjegjësimi mbajtën fjalime të guximshme, prekëse dhe shumë emociunuese edhe znj.Aissata Camara, Komisionere e Zyrës së Kryetarit të Bashkisë së NYC-së për Çështjet Ndërkombëtare, znj. Tessa Dikker, zëdhënëse në Misionin e Mbretërisë së Holandës në Kombet e Bashkuara, Ambasadore Suela Janina, Përfaqësuese e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, znj.Djellza Pulatani, presidente e shoqatës F’Oda, znj.Vasfie Krasniqi Goodman, e Dërguara e Posaçme e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe një të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë Luftës së Kosovës, z.Ramadan Nishori një i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë Luftës së Kosovës dhe Tatiana Mukanire, një e mbijetuar nga Republika Demokratike e Kongos.

Instalacioni “Thinking of You” u krijua fillimisht në Prishtinë në vitin 2013, ku një stadium futbolli u mbush me mijëra fustane dhe funde të dhuruara në solidaritet me rreth 20,000 gra dhe vajza kosovare që u përdhunuan gjatë konfliktit të 1998–1999. Rrobat janë dhuruar si nga të mbijetuar të dhunës seksuale në kohë lufte, ashtu edhe nga mbështetës të njohur publikë, përfshirë stilisten e modës Diane von Furstenberg, ikonën feministe Gisèle Picot, laureatin e Çmimit Nobel Denis Mukwege dhe ambasadorin e UNICEF Martin Bell, duke theksuar mesazhin e solidaritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët për të vepruar, thuhet në njoftimin e organizatorëve. Shqiptarët e Amerikës treguan dhe një herë solidaritet, aktivizëm e ndjeshmëri të lartë ndaj një plage kombëtare që ende kërkon drejtësi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?